Kryetari i Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë nga komuniteti serb, Nenad Rashiq, tha se nuk është optimist, që më 15 prill – kur është caktuar seanca për konstituimin e Kuvendit të Kosovës – të mund të formohet edhe ekzekutivi i ri.
Këto deklarata ai i bëri pasi u regjistrua si deputet i legjislaturës së nëntë në Kuvendin e Kosovës.
“Nuk jam optimist që nesër do të votojmë për Qeverinë”, tha Rashiq.
Në seancën e 15 prillit, në rend dite është betimi i deputetëve dhe zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit. Rashiq tha se do të marrë pjesë në seancë dhe se do të votojë për kryeparlamentarin – që duhet të propozohet nga Lëvizja Vetëvendosje – “nëse ka ndonjë propozim që është i arsyeshëm”.
Rashiq, që aktualisht është ministër në detyrë për Kthim dhe Komunitete, tha se procesi i formimit të institucioneve të reja të dala nga zgjedhjet parlamentare të 9 shkurt, është një proces i gjatë.
“Nuk është hera e parë që mund të ndodhë një ngërç i shkurtër. Ju rikujtoj se më 2014 kemi pasur një situatë të tillë, atëherë po ashtu kam qenë deputet, por pas dy-tre muajsh u zgjidh ajo krizë. Në këtë rast, po konsideroj që varianti më i mirë do të ishte që partia më e madhe të formojë qeverinë sepse çdo opsion tjetër do ta komplikonte procesin, qoftë të demokratizimit, qoftë të udhëheqjes qeveritare, qoftë të afrimit të Kosovës drejt BE-së. Prandaj, opsioni më i mirë në këtë moment është që partia më e madhe të marrë përgjegjësinë e udhëheqjes”, tha Rashiq.
Ai ka fituar një ulëse nga dhjetë sa janë të rezervuara në Kuvendin e Kosovës për komunitetin serb. Nëntë të tjerat i ka fituar Lista Serbe, partia e serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit.
Lëvizja Vetëvendosje, partia fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit, fillimisht ka deklaruar se preferon të krijojë institucionet e reja me komunitetet joserbe, por së voni e ka pranuar se i duhet bashkëpunimi edhe me partitë shqiptare që kanë fituar ulëse në Kuvend.