Sot më 14 prill, shënohet Dita Memoriale e të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë luftës në Kosovë. Përmes kësaj dite, përkujtohen vuajtjet dhe traumat e atyre që kanë përjetuar dhunë seksuale.
Kjo ditë synon të njohë padrejtësinë e përjetuar dhe traumën si pasojë e krimeve të tilla dhe njëkohësisht të rrisë ndërgjegjësimin për drejtësinë e vonuar dhe luftën kundër stigmës.
Ndërkaq, Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRTM), njofton se sot, për herë të parë, një burrë i mbijetuar do të ndajë publikisht rrëfimin e tij.
“Një rrëfim që sfidon frikën, stigmën dhe harresën. Një akt guximi që hap një kapitull të ri për drejtësinë dhe të vërtetën”, thuhet në njoftim.
Me propozim të presidentes Vjosa Osmani, Qeveria e Kosovës, 14 prillin e ka caktuar Ditë e të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Ky vendim do t’i kontribuojë ruajtjes së memories kolektive.
Me këtë rast, Osmani, ka përmendur nevojën e solidarizimit me të mbijetuarit e dhunës seksuale.