Shqipëria do të zhvillojë sot konferencën e katërt ndërqeveritare në Luksemburg, ku i pranishëm do të jetë edhe kreu i qeverisë, Edi Rama. Gjatë këtij takimi, do të diskutohen dy grup-kapituj për tregun e brendshëm dhe konkurrencën.
Në konferencën ndërqeveritare do të diskutohet për avancimin e proceseve të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Lidhur me këtë ngjarje ka reaguar edhe Kryeministri, Edi Rama i cili ka publikuar sot në rrjetet sociale foto nga takimi i një dite më parë me bashkëatdhetarët në Milano.
Rama teksa i falënderon të gjithë shqiptarët e Italisë në Milano për mikpritjen e djeshme, ndalet te një tjetër lajm, ai i hapjes sot të një tjetër grupi kapitujsh të negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian.
Rama ka theksuar dje gjatë takimit me shqiptarët që jetojnë e punojnë në Itali se “përpara nesh kemi vetëm një datë, 11 majin, e pastaj kemi vetëm një mandat, për të fituar bastin historik me Europën për Shqipërinë dhe me Shqipërinë për Europën”.
“Ky është muaji i ndarë mes prillit dhe majit dhe kjo është dekada e ardhjes së fatit europian të Shqipërisë tamam këtu në dorën tonë qëkurse ne dolëm nga ferri komunist dhe Bashkimi Europian na ka vënë përpara një plan të dakordësuar që ne të mbyllim të gjithë marrëveshjen e anëtarësimit duke mbyllur të gjitha negociatat brenda vitit 2027”, nënvizoi Kryeministri.
Deri tani, janë mbajtur tre konferenca ndërqeveritare që kanë pasur si objektiv diskutimet dhe përparimin e Shqipërisë në rrugën e integrimit.
Konferenca e parë ndërqeveritare u mbajt më 19 korrik 2022 në Bruksel, ku u hapën negociatat për Klasterin 1, i cili përfshin disa kapituj në fusha të ndryshme.
Ky grup-kapitull ishte një nga më të rëndësishmit, duke prekur aspekte thelbësore si drejtësia, gjyqësori, funksionimi i institucioneve demokratike, prokurimi publik dhe reforma e administratës publike.
Konferenca e dytë u zhvillua më 15 tetor 2024, gjithashtu në Luksemburg, ku u hapën negociatat për një grup-kapitull të rëndësishëm, që trajton tematikat e drejtësisë, gjyqësorit dhe institucioneve demokratike.
Hungaria, e cila mbante presidencën gjashtëmujore të BE-së, organizoi këtë konferencë pas arritjes së marrëveshjes mes vendeve anëtare që Shqipëria kishte përmbushur kushtet për hapjen e grup-kapitullit të parë që lidhet me të drejtat themelore.
Konferenca e tretë ndërqeveritare u mbajt më 17 dhjetor 2024 në Bruksel dhe u zhvillua në nivel ministror, duke shërbyer për hapjen e negociatave për Klasterin 6: Marrëdhëniet e jashtme, përfshirë kapitujt “Kapitulli 30 – Marrëdhëniet e jashtme” dhe “Kapitulli 31 – Politika e jashtme, e sigurisë dhe mbrojtjes”.