Federata Spanjolle e Futbollit ka marrë vendimin për kartonin e kuq të Kylian Mbappes në takimin mes Alavesit dhe Real Madridit të dielën, aty ku fituan madrilenët me rezultat minimal 1-0.
Mbappe ishte përjashtuar nga loja në pjesën e parë pas një ndërhyrje të ashpër në mesfushorin Antonio Blanco.
Francezi fillimisht u ndëshkua me karton të verdhë, por pas rishikimit të rastit në VAR nga gjyqtari Cesar Soto Grado, ai e ndëshkoi me të kuq.
Mbappe tashmë ka kërkuar falje për ndërhyrjen dhe fillimisht kishte frikë se ai do të mbetej jashtë për të paktën tri ndeshje.

Në rast se do të ndodhte kjo, ai nuk do të luante në finalen e Kupës së Mbretit ndaj Barcelonës, e cila do të luhet pas dy javësh.
Sidoqoftë, tashmë është bërë e qartë se Mbappe e ka evituar këtë skenar, pasi Komiteti Disiplinor ka konfirmuar lajmin e mirë për Real Madridin.
Sipas Diario AS, Komiteti Disiplinor ka konfirmuar se Mbappe është dënuar me një ndeshje moslojë, e cila do të aplikohet në La Liga
Ishte vërtetuar se ylli i Real Madridit ishte në luftë për topin në momentin e ndërhyrjes andaj dënimi nuk ishte shumë i ashpër.
Si rezultat, Mbappe do të humbasë ndeshjen e vikendit ndaj Athletic Bilbaos në ‘Santiago Bernabeu’ dhe do të rikthehet për takimin ndaj Getafes në udhëtim.