Derisa procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së, në Dhomat e Specializuara në Hagë po shkon drejt fundit, reagimet e kritikat ndaj këtij institucioni janë shpeshtuar.
Ditë më parë, emisari amerikan për misione të posaçme, Richard Grenell, bëri thirrje që t’i ndalen fondet Gjykatës Speciale në Hagë, duke thënë se e gjitha është politike dhe se janë shpenzuar dhe shpërdoruar miliarda.
Në një përgjigje për Dukagjinin, nga Dhomat e Specializuara për Kosovën, nuk kanë komentuar direkt deklaratën e të dërguarit të Trumpit por kanë thënë se janë të fokusuar në punën e tyre ligjore.
“Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar janë dy institucione më vete dhe Dhomat e Specializuara të Kosovës janë tërësisht të përqendruara në përmbushjen e mandatit të tyre dhe kryerjen e procedurave gjyqësore të drejta, të paanshme dhe të pavarura, pavarësisht zhvillimeve politike apo komenteve”, kanë thënë nga Specialja
Amer Aliajt nga Fondi për të Drejtën Humanitare, thotë se kjo nuk mund të ndikojë në punën e tyre.
“Gjykata Speciale është duke vazhduar punën e vet dhe se procedurat gjyqësor janë duke shkuar nga fundi dhe nuk besoj që deklarimet mund të kenë ndonjë ndikim tek puna e dhomave të specializuara. Gjykata Speciale ka qenë aktive edhe në kohën kur Trumpi ka qenë president pra në mandatin e parë dhe nuk besoj që do të ketë në këtë mandat do ketë ndonjë ndikim, sepse Gjykata Speciale nuk i ka donatore vetëm SHBA-të por merr donacione edhe nga shtete të tjera të BE-së, dhe shtete të treta kontribuuese”, ka thënë Aliaj.
Sot ka qenë edhe afati i fundit për Zyrën e Prokurorit të Specializuar që të dorëzojë të gjitha provat materiale, në rastin më të madh që po gjykohen në Hagë Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, të akuzuar për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Procesi gjyqësor ndaj tyre ka nisur më prill të 2023, e në paraburgim janë nga viti 2020 dhe së fundmi kjo masë iu vazhdua deri së paku me 20 maj të këtij viti, ani se Prokuroria tashmë i ka përfunduar edhe dëshmitarët