Hekuran Murati, deputet i zgjedhur nga Lëvizja Vetëvendosje, përmes një postimi të bërë në Facebook, ka njoftuar se ai ka nënshkruar Udhëzim të ri Administrativ për arkat fiskale, gjë e cila është në kuadër të zbatimit të Ligjit për Administrimin e Procedurave Tatimore,
Megjithatë, sot, është deklaruar se Murati i cili ka mbajt detyrën e Ministrit të Financave, ka dhënë dorëheqje bashkë me ministrat e tjerë nga kabineti i Kurtit.
Ka qenë Albulena Haxhiu, ajo që ka bërë të ditur se i gjithë kabineti qeveritar i ka kryer obligimet që i kanë pasur për dorëheqje, për shkak të seancës konstituive të Kuvendit.
Përveç Haxhiut, ka qenë edhe Faton Peci ai që ka bërë të ditur se të gjithë ministrat kanë dhënë dorëheqje.
Postimi:
Në kuadër të zbatimit të Ligjit për Administrimin e Procedurave Tatimore, kam nënshkruar Udhëzimin e ri Administrativ për arkat fiskale.
Ky Udhëzim Administrativ është hartuar nga grupi punues me profesionalizëm dhe vjen pas një pune enorme për zhvillimin e sistemit të ri softwerik i cili do të reformojë komplet sistemin e arkave fiskale, duke e bërë tranzicionin në sistem digjital.
Udhëzimi parasheh periudhën tranzitore të kalimit nga sistemi ekzistues në sistemin e ri – pra të gjitha bizneset që tashmë kanë sisteme të arkave fiskale, do të kenë kohë të mjaftueshme për të kaluar në sistemin e ri – për këtë do të njoftohen me kohë. Ndërsa për bizneset e reja apo që ende nuk kane sistem të fiskalizimit, do të ketë periudhë kalimtare prej 60 ditësh derisa të instalojnë sistemin e ri, por që duhet të sigurohen se ndjekin udhëzimet për deklarim të shitjeve ashtu siç e parasheh UA.
Sistemi i ri parasheh që softweri i fiskalizimit të ofrohet nga ofruesit e licencuar. ATK tashmë ka mbajtur takime njoftuese me disa ofrues të tillë, dhe komunikimi me ta do të vazhdojë.