I nominuari për kryeministër të Serbisë vazhdon me avazin e vjetër, duke ëndërruar për Kosovën

by Nexhat

Kuvendi i Serbisë është duke zhvilluar një seancë, në rend dite të së cilës është zgjedhja e Qeverisë së re.

Gjatë seancës, i nominuari për kryeministër. Gjuro Macut, gjatë ekspozesë së tij, nuk ka harruar të përmend edhe Kosovën.

banner

Sipas tij, Serbia do të vazhdojë të jetë aktor konstruktiv në çështjen e Kosovës, por nuk do të pajtohet me zgjidhje që nuk janë në përputhje me Kushtetutën e vendit dhe me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së,

Macut ka deklaruar se Kushtetuta është dokument për zbatimin e duhur të të cilit do të insistojë vazhdimisht dhe ka theksuar se është detyrë e të gjitha organeve shtetërore që të përfaqësojnë dhe mbrojnë interesat shtetërore të Serbisë në Kosovë.

Ai theksoi se zbatimi i Kushtetutës nënkupton edhe që “Kosova dhe Vojvodina janë pjesë përbërëse e territorit të Serbisë”.

Në prezantimin e tij para deputetëve të Kuvendit të Serbisë, ai tha se Kosova “mbetet çështje qendrore e interesit më të lartë kombëtar” dhe “ruajtja e integritetit territorial dhe sovranitetit është një nga prioritetet më të rëndësishme të politikës së jashtme”.

Kujtojmë se ndër emrat e përmendur si pjesë e Qeverisë së Serbisë është përmendur edhe Boris Bratina.

Bëhet fjalë për njeriun i cili në një takim të mbajtur më 24 mars 2009 në Beograd, me rastin e 10 vjetorit të sulmeve të NATO-s kundër Serbisë, i vuri flakën flamurit të Bashkimit Evropian.

Gjithashtu, në listën e ministrave është edhe Demo Berisha, për të cilin deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi ka thënë se është një goditje e rëndë për çdo shqiptar që ka vuajtur, rezistuar dhe sakrifikuar për të drejtat e veta në Serbi

Sipas tij, ky emërim është jo vetëm politikisht i papranueshëm, por edhe moralisht i turpshëm, sepse Demo Berisha nuk është një përfaqësues i të drejtave të njeriut, por një simbol i mohimit të identitetit kombëtar dhe politik të shqiptarëve të Kosovës dhe të Luginës së Preshevës.

Ndryshe, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 6 prill ia ka besuar mandatin për formimin e Qeverisë së re endokrinologut dhe profesorit të Fakultetit të Mjekësisë në Beograd, Gjuro Macut.

Qeveria e Serbisë është në mandat teknik që nga 19 marsi, kur deputetët në Kuvend verifikuan dorëheqjen e Millosh Vuçeviqit nga posti i kryeministrit, çka shënoi fillimin e afatit 30-ditor për zgjedhjen e Qeverisë së re.

Vuçeviq dha dorëheqje pas rrahjes së një grupi studentësh nga aktivistët e Partisë Progresive Serbe që po bllokonin punën e fakulteteve në Novi Sad

Rënia e Qeverisë së Serbisë, e udhëhequr nga Millosh Vuçeviq, ndodhi në kulmin e protestave kundër pushtetit, të udhëhequra nga studentët që nga fundi i nëntorit 2024 po bllokojnë dhjetëra fakultete në gjithë Serbinë.

Në qendër të kërkesave të tyre, të adresuara ndaj institucioneve të Serbisë, është përcaktimi i përgjegjësisë ligjore dhe politike për vdekjen e 16 personave në shembjen e strehës prej betoni në Stacionin Hekurudhor në Novi Sad, më 1 nëntor të vitit të kaluar.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy