Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku pas dështimit të seancës për konstituimin e Kuvendit, është shprehur se është një episod i errët në demokracinë parlamentare.
Abdixhiku tha se partia fituese nuk respekton rregullin bazik kushtetues që thotë se një i zgjedhur nuk mund të jetë edhe kryeministër apo ministër edhe deputet
“Qëndrimi i partisë fituese që me 10 deputetë që ushtrojnë edhe funksionin e kryeministrit dhe ministrave për të qenë edhe deputetë në të njëjtën kohë është antikushtutese dhe po bëhet për shkak të një loje politike për të zvarritur formimin e institucioneve. Zgjidhja është e thjeshtë të japin dorëheqje prej pozitave që kanë, të ulen si deputetë të bëjnë betimin si deputet”, tha Abdixhiku.
I pari i LDK-së shtoi se akuzat ndaj tyre janë pjesë e një mendësie të njëjtë polarizuese.
“Ata që komunikojnë me mesazhe përbërjen e votave nga Lista Serbe më së paku duhet të flasin për koordinime të tilla”, tha Abdixhiku.
Lidhur me letrën e dorëheqjes nga Kurti dhe kabineti qeveritar, Abdixhiku tha se “nëse është dhënë një letër dorëheqje dhe vazhdon punën si kryeministër, atëherë çfarë vlere ka kjo”.
Ai tha se në rast se votohet një raport i tillë i komisionit, nesër kushdo mund ta rrëzoj një qeveri të ardhshme të Kosovës dhe të shkaktoi zgjedhje të jashtëzakonshme.
“Ky është proces bllokues i qëllimshëm i partisë në pushtet sepse nuk i ka numrat”, tha Abdixhiku