Deputetja Monika Kryemadhi ka folur për herë të parë pas divorcit me Ilir Metën, duke e cilësuar përfundimisht të mbyllur këtë kapitull të jetës së saj personale dhe politike. Deklarata u bë pas daljes nga ambientet e Prokurorisë së Posaçme, ku ajo u paraqit në kuadër të masave të vendosura ndaj saj nga drejtësia.
“Martesa me Ilir Metën është një kapitull i mbyllur. S’kam përse të kem seancë pajtimi për një marrëdhënie që është vendosur të përfundojë. Nuk i lutem askujt për t’u pajtuar”, deklaroi Kryemadhi para gazetarëve.
Megjithëse tashmë zyrtarisht e divorcuar, Kryemadhi nuk i kurseu akuzat ndaj drejtësisë dhe ish-ambasadores amerikane Yuri Kim, të cilën e cilësoi si autore të “rrëmbimit” të Ilir Metës.
“Rrëmbimi i Metës është bërë me urdhër të Yuri Kim, një grua me inate personale që sot është askushi. Ajo i premtoi drejtësisë parajsën, por në fakt, i dha Ramës mundësinë për të realizuar hakmarrjen personale përmes institucioneve”, u shpreh ajo.
Pavarësisht përfundimit të marrëdhënies bashkëshortore, Kryemadhi deklaroi angazhim të plotë në fushatën zgjedhore për të mbështetur Metën, duke theksuar se këtë e bën për hir të fëmijëve të tyre.
“Jam përfshirë në fushatë për babain e fëmijëve të mi. Ndoshta pak më shumë për shkak të tyre. Ata janë me mua në çdo hap, në çdo takim. U bëj thirrje të gjithë anëtarëve të Partisë së Lirisë, të rinj e të vjetër, që më 11 maj të votojnë Ilir Metën – pavarësisht marrëdhënieve personale që kanë me mua apo me të”, përfundoi Kryemadhi