Ministri në detyrë i Kulturës Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, i është përgjigjur ftesës për debat publik nga kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama.
Çeku, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se me kryetarin e Prishtinës mund të përballen vetëm në gjykatë.
“Kryetari i Prishtinës më paska ftuar në debat publik. Po, do të isha shumë i vullnetshëm për debat, por në gjykatë. Çdo përballje publike tjetër me një gënjeshtar të paskrupullt është e pakuptimtë”, ka shkruar Çeku, transmeton Telegrafi.
Çeku ka thënë se provat i kanë dorëzuar në Prokurori e Polici. “Kemi dyshim të bazuar për keqpërdorim të buxhetit të shtetit në vlerë disa milionëshe”.
“Ne kemi argumentuar që këto veprime i ka bërë me paramendim dhe qëllimshëm, ndërsa sulmin publik për kinse bllokim nga qeveria e ka kamuflim të veprimeve kriminale në prapavijë”, ka thënë Çeku
“Prandaj, debat po, por në gjykatë. Aty ku flitet me fakte e prova. Shpresoj që institucionet e drejtësisë do të reagojnë shpejt. Çdo ditë që ky mashtrues e kalon në krye të komunës është rrezik i madh për buxhetin e shtetit dhe për vet kryeqytetin”, ka shkruar ministri Çeku
Ndryshe, kryetari i Prishtinës ka reaguar sot, pasi në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë, ministri Çeku akuzoi Komunën e Prishtinës se ka lidhur kontrata të kundërligjshme për katër projekte: punimet në sheshin “Xhorxh Bush”, rrugën “Rexhep Luci”, “Ishullin Urban” dhe projektin në rrugën “Agim Ramadani”.
Për këtë, kryetari i Prishtinës, përmes një postimi në Facebook, tha se me këtë rast, “Çeku ka zgjedhur rrugën e mashtrimit dhe propagandës”, në mënyrë që, sipas Ramës, të justifikojë bllokimin e projekteve të Komunës
“Sot, Ministri i Kulturës ka zgjedhur sërish rrugën e mashtrimit dhe propagandës, duke vazhduar me të pavërtetat e radhës për të justifikuar bllokimin e kundërligjshëm dhe sistematik të çdo projekti transformues në Kryeqytet! E ftoj publikisht Ministrin e Kulturës, bashkë me ekspertët e tij, në një debat të hapur publik”, ka shkruar Rama