Avni Arifi: VV po përpiqet të zvarritë procesin për të krijuar shumicë – Qeverisja me 61 vota është sfidë për Kurtin

by Nexhat

Ish-diplomati Avni Arifi ka ngritur shqetësime lidhur me kalkulimet politike të Lëvizjes Vetëvendosje (VV) në raport me formimin e institucioneve të reja dhe qeverisjen eventuale me shumicë të thjeshtë në Kuvend.

Përmes një reagimi në Facebook, Arifi shtron pyetjen nëse VV i ka apo jo 61 votat e nevojshme për të formuar shumicën, duke theksuar se, nëse nuk i ka, është e pritshme që kjo parti të përdorë çdo mjet për të zvarritur procesin deri në sigurimin e tyre.

banner

Megjithatë, edhe nëse, sipas deklarimeve të VV-së, ajo i ka siguruar votat përmes marrëveshjeve me Nismën dhe minoritetet jo-serbe, Arifi thotë se sfida e vërtetë qëndron tjetërkund.

“Halli është tjetërkund. O vëlla, qysh me qeverisë me 61 vota?”, shkruan Arifi, duke nënvizuar se një qeverisje me shumicë minimale kërkon fleksibilitet dhe një qasje të bashkëpunueshme, gjë që, sipas tij, nuk përputhet me stilin politik të kryeministrit Albin Kurti.

Ai vë në dyshim aftësinë e Kurtit për të krijuar aleanca funksionale me partitë e vogla dhe minoritetet, duke thënë se nuk mund të përsëritet modeli i bashkëpunimit me subjektet si Guxo apo Alternativa.

Arifi gjithashtu paralajmëron për një skenar të mundshëm të zvarritjes së procesit deri në verë, me synimin për të shkaktuar zgjedhje në korrik — periudhë kur shumica e qytetarëve janë në pushime jashtë vendit ose diaspora ndodhet në Kosovë.

Ai vlerëson se Kurti ende mbështetet në përkrahjen që mori nga diaspora në zgjedhjet e vitit 2021.

“Sa më shumë rrëmujë, aq më shumë shansa me injektu një rezultat 50+%,” shkruan Arifi, duke e cilësuar këtë si një matematikë të rrezikshme për stabilitetin e vendit.

“Matematika të vështira të Kurtit, por të rrezikshme për stabilitetin e Kosovës. Është e sigurt që koha nuk punon për Kurtin, por plagët që do t’i marrë Kosova sigurt do të jenë të mëdha”, përfundon shkrimin ai.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy