Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka reaguar pas dështimit të seancës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, duke akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) për bllokim të procesit.
Në një postim në rrjetin social, Facebook Haziri deklaroi se edhe pse në sallë ishin të pranishëm 100 deputetë, përfshirë të gjithë deputetët e LDK-së, seanca nuk vazhdoi për shkak të veprimeve të kryesuesit të përkohshëm të Kuvendit, i cili vjen nga radhët e LVV-së.
Sipas Hazirit, kryesuesi i seancës “shkeli Rregulloren e Kuvendit”, duke thirrur për konsultime politike pa pasur mandat apo autorizim për një veprim të tillë.
“Veprimet e sotme të LVV-së shpërfaqin bllokimin faktik të procesit të konstituimit të Kuvendit dhe themelimin e institucioneve të reja,” shkroi Haziri, duke e mbyllur reagimin me fjalinë: “Republika, mbi të gjitha!”