Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Doarsa Kica Xhelili, ka reaguar ashpër ndaj, siç e quan ajo, përpjekjeve për të shmangur respektimin e plotë të Kushtetutës dhe ligjeve në procesin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës.
Përmes një statusi në Facebook, Kica Xhelili tha se Kushtetuta nuk është “formalitet teknik”, por akti më i lartë juridik i shtetit, të cilin duhet ta respektojnë të gjithë.
“Zgjidhja është e qartë: dorëhiquni sikurse ua kërkon ligji që keni miratuar vet. Mos simuloni konsultime fiktive për skenarë perfid për sabotim institucional,” shkroi ajo.
Deputetja theksoi se dorëheqja nuk mund të jetë një status në rrjete sociale apo një letër në xhepin e kryeministrit, por një akt formal i dorëzuar në Kuvend, në përputhje me kornizën ligjore që e ndalon ushtrimin paralel të pozitave ekzekutive dhe legjislative.
Ajo paralajmëroi se krijimi i një “mjegulle institucionale” është qëllimshëm i ndërtuar për të fshehur mungesën e numrave dhe frikën nga humbja e pushtetit, duke nënvizuar se: “Shteti nuk lidhet në këtë mënyrë me emra të përveçëm.”
Në fund të reagimit të saj, Kica Xhelili theksoi se “aty ku ligjet shpërfillen, pushteti nuk ushtron rend, por dominim,” duke bërë thirrje për respektim të plotë të Kushtetutës dhe për dorëzimin e dorëheqjeve të premtuara.