Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Altin Dumani, mori pjesë sot në konferencën e organizuar nga Fakulteti i Shkencave Politiko-Juridike pranë Universitetit “Aleksandër Moisiu” Durrës.
Gjatë fjalës së tij Dumani tha se “pa drejtësi nuk mund të këtë paqe dhe pa llogaridhënie nuk mund të ketë demokraci”.
“Shteti i së drejtës mund të realizohet vetëm me kontributin e të gjithëve dhe ne po përpiqemi të garantojmë që ligji të lexohet njësoj, pa privilegjuar disa dhe harruar disa të tjerë”, u shpreh Dumani.
Dumani shtoi se “Reforma në Drejtësi e mbështetur dhe koordinuar edhe me partnerët tanë ndërkombëtar u realizua me ndryshimet thelbësore kushtetuese. Qëllimi i kësaj reformë është rritja e pavarësisë nga sistemit veçanërisht nga ndikimi politik dhe çlirimi i tij nga korrupsioni dhe paaftësia”.
Dumani tha se “SPAK dhe BKH u krijuan për të goditur këto dy fenomene që lëndojnë një shtet e pengojnë të ecë para dhe stepin shpresën për një të ardhme më të mirë”.
“SPAK ishte një ndër produktet e reformës në drejtësi dhe ka treguar se është i aftë të ushtrojë ndjekjen penale ndaj çdo subjekti pavarësisht fuqisë politike, ekonomike apo lidhjeve që mund të ketë me botën e krimit dhe këtu kryesisht me botën e krimit të organizuar”, u shpreh Dumani.
Kreu i SPAK tha se “ka shumë sfida ende për të çrrënjosur korrupsionin e zyrtarëve të lartë, krimin e organizuar”.
“Shkëmbimi ndërmjet praktikës dhe teorisë juridike është themelor. Jurisprudenca që zhvillojmë si institucion duhet të pasurohet dhe udhëhiqet nga reflektimi teorik, analiza kritike dhe vlerësimi akademik që ju si studiues dhe pedagogë ofroni”, tha Dumani
Dumani nënvizoi se “shpresat për një drejtësi më të drejtë dhe të përgjegjshme lidhen drejtpërdrejt me formimin e brezit të ri të juristëve, ky brez duhet të pajiset jo vetëm me njohuri, por me etikë, guxim dhe ndjenjë shërbimi”