Shëndetësia në krizë: Kosova me buxhetin më të ulët në rajon – kur mungesa e barnave kthehet në kërcënim për jetë

by Nexhat

Në vitin 2024, Qeveria e Republikës së Kosovës ndau rreth 60 milionë euro për Listën e Barnave Esenciale, nga të cilat rreth 21 milionë euro i takuan Ministrisë së Shëndetësisë, ndërsa 39 milionë euro ShSKUK-së. Por ky buxhet — që mbulon barnat për sëmundje kronike, infektive, e deri tek ato më komplekse si sëmundjet e gjakut, neurologjike, autoimune, të sistemit të brendshëm dhe ato onkologjike — si dhe materialet shpenzuese dhe pajisjet medicinale, mbetet dukshëm më i ulët krahasuar me vendet e rajonit, madje edhe me ato me më pak popullatë dhe më pak raste të sëmundjeve të rënda.

Mali i Zi, një shtet me popullsi shumë më të vogël dhe më pak raste të reja me kancer, në vitin 2023 shpenzoi 62 milionë euro vetëm për barnat që trajtojnë këtë sëmundje. Ndërkohë, Kosova, me afro trefish më shumë banorë, ndau vetëm 12 milionë euro për të njëjtin qëllim. Me fjalë të tjera, shteti fqinj investoi më shumë për një kategori të vetme të barnave sesa i gjithë buxheti që Kosova vuri në dispozicion për të gjitha barnat esenciale.

banner

Në vende si Maqedonia e Veriut, Shqipëria apo Kroacia, barnat biologjike dhe ato më të avancuara për trajtimin e kancerit janë pjesë e listave të rimbursimit dhe buxhetet për to janë shumëfish më të larta. Shqipëria, sipas të dhënave të vitit të kaluar, ndau mbi 100 milionë euro për barna, ku një pjesë e konsiderueshme i dedikohet barnave inovative dhe atyre për trajtimin e sëmundjeve malinje. Maqedonia e Veriut, me një sistem të organizuar të rimbursimit, ka përfshirë shumë barna biologjike dhe terapi të avancuara moderne në listën e trajtimeve të mbuluara nga shteti, duke investuar në mënyrë të qëndrueshme në shëndetin e qytetarëve të saj.

Ndërkaq, Kroacia — me një sistem të zhvilluar shëndetësor dhe me një popullsi të krahasueshme me Kosovën — ka ndarë mbi 300 milionë euro vetëm për barnat onkologjike, duke garantuar trajtim në kohë, pa ndërprerje dhe me teknologjinë më moderne për pacientët e saj.

Në Kosovë, çdo vit regjistrohen rreth 2,000 raste të reja me kancer. Mjekët onkologë dhe drejtuesit institucionalë e pranojnë se, pavarësisht përpjekjeve dhe shtesave buxhetore që janë bërë herë pas here, pacientët përballen me mungesa të vazhdueshme të barnave, pritje të gjata për terapi dhe, jo rrallë, me nevojën për t’i blerë vetë barnat që kushtojnë mijëra euro.

“Ka raste kur pacienti pret me javë të tëra për një terapi që nuk vjen. Dhe kjo pritje, për disa, është fatale,” tha për redaksinë tonë një mjek onkolog në QKUK, i cili kërkoi të mbetet anonim për shkak të ndjeshmërisë së çështjes. “Na mungojnë barnat më bazike, e lëre më ato inovative.”

Kosova, përkundër nevojës së madhe, ka një fond të pamjaftueshëm për barnat onkologjike dhe për disa nga terapitë moderne që përdoren tashmë në rajon. Megjithëse institucionet kanë deklaruar se fondet janë rritur, në praktikë kjo rritje mbetet simbolike dhe nuk i përmbush nevojat reale të sistemit. Sipas profesionistëve të shëndetësisë, pa një rritje të qëndrueshme dhe të dedikuar të buxhetit, Kosova do të vazhdojë të përballet me mungesa dhe trajtime të paplota për pacientët me sëmundje serioze

Mosveprimi që kushton jetë

Në vendet përreth, barnat biologjike dhe trajtimet e avancuara për kancerin janë standard, jo luks. Në Kosovë, mungesa e tyre shpesh barazohet me humbje jete. Shoqatat për mbrojtjen e të drejtave të pacientëve kërkojnë rritje të menjëhershme të buxhetit për barnat onkologjike, përmes këtyre hapave:

“Rritje e buxhetit të përgjithshëm për barna dhe pajisje medicinale, duke e shndërruar shëndetësinë në prioritet të vërtetë shtetëror; Krijimi i një fondi të posaçëm për barnat inovative dhe biologjike; Futja në listën e barnave të rimbursuara e trajtimeve që përdoren në rajon; Rritje e transparencës dhe efikasitetit në tenderimin dhe shpërndarjen e barnave”, thuhet në kërkesat e tyre.

Në një shtet që pretendon të ecë drejt standardeve evropiane, është e papranueshme që pacientët me kancer të presin për trajtime jetësore, ose të shndërrohen në barrë financiare për familjet e tyre. “Ky nuk është vetëm një problem buxheti – është një çështje e drejtësisë shëndetësore dhe dinjitetit njerëzor,” thotë një drejtues klinike. “Jemi duke humbur jetë të vlefshme për shkak të neglizhencës dhe mungesës së prioritetit.”

Qeveria e Kosovës duhet të veprojë. Buxheti për barnat veçanërisht për ato që shpëtojnë jetë duhet të rritet substancialisht dhe urgjentisht. Qytetarët e Kosovës kanë të drejtë në trajtim të denjë, në kohë dhe me standarde moderne. Nëse duam të ecim përpara, duhet të fillojmë nga themelorja: jeta e qytetarit

Shëndeti nuk është luks – është e drejtë themelore dhe domosdoshmëri kombëtare.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy