Nga Lidhja Demokratike e Kosovës, përmes një komunikate për media është thënë se sot është dëshmuar edhe njëherë se Lëvizja Vetëvendosje, nuk e ka shumicën e nevojshme parlamentare, duke theksuar faktin se sot kuvendi dështoi të konstituohet për herë të tretë radhazi,
Nga LDK-ja, është komentuar edhe dështimi për votimin e të parit të kuvendit, për të cilën pozitë VV-ja propozoi Albulena Haxhiun, duke thënë se as pazaret politike e as shkeljet procedurale nuk mund të zëvendësojnë legjitimitetin demokratik dhe vullnetin real të deputetëve të zgjedhur nga qytetarët.
‘‘Sot, Kuvendi i Republikës së Kosovës dështoi për herë të tretë radhazi të konstituohet, duke konfirmuar edhe një herë se Lëvizja Vetëvendosje nuk ka shumicën e nevojshme parlamentare për të formuar institucionet e reja të vendit. Po ashtu, përpjekja e dytë për të zgjedhur Kryetarin e Kuvendit përfundoi me dështim, duke theksuar se as pazaret politike e as shkeljet procedurale nuk mund të zëvendësojnë legjitimitetin demokratik dhe vullnetin real të deputetëve të zgjedhur nga qytetarët’’, thuhet në komunikatë.
Tutje, kjo parti në komunikatën lëshuar për media ka riafirmuar pozicionin e saj, duke theksuar se LDK nuk merr pjesë në asnjë proces, të cilin ata e cilësojnë se e cenon rendin kushtetues.
LDK ka deklaruar edhe se VV-ja ka bërë përpjekje të pareshtura për të ndikuar mbi vullnetin e deputetëve përmes presioneve dhe kalkulimeve të dyshimta, porse, megjithatë, kjo parti nuk i ka numrat.
Nga kjo parti është thënë edhe se çdo përpjekje për të shtyrë përpara agjenda politike pa shumicë përfaqëson cenim të demokracisë dhe shkelje të rregullave të lojës parlamentare.
‘‘Lidhja Demokratike e Kosovës riafirmon pozicionin e saj të qartë:
Së pari, pranimi i dorëheqjeve verbale nga anëtarët e Qeverisë të certifikuar si deputetë nga Komisioni për Verifikimin e Kuorumit dhe Mandateve ka hapur rrugë për konstituimin formal të Legjislaturës së IX. Së dyti, LDK-ja ka qenë dhe mbetet e palëkundur në qëndrimin e saj për të mos marrë pjesë në asnjë proces që cenon rendin kushtetues, procedurat demokratike dhe vullnetin e lirë parlamentar. Së treti, çdo zyrtar i Qeverisë që ka bërë betimin si deputet, duhet ta dijë se çdo vendim i tij ekzekutiv nga 27 marsi bie ndesh me ligjin dhe LDK është e bindur që përbën shkelje penale prandaj dhe duhet të hetohet. Së katërti, pavarësisht përpjekjeve të pareshtura për të ndikuar mbi vullnetin e deputetëve përmes presioneve dhe kalkulimeve të dyshimta, realiteti është i qartë: Vetëvendosje nuk i ka numrat. Dhe ky fakt nuk mund të fshihet pas akrobacive procedurale apo improvizimeve parlamentare. Së pesti, kushdo që pretendon qeverisjen e vendit, duhet të sigurojë minimalisht 61 vota. Çdo përpjekje për të shtyrë përpara agjenda politike pa këtë shumicë përfaqëson cenim të demokracisë dhe shkelje të rregullave të lojës parlamentare’’, thuhet nga LDK-ja.
Më tej, LDK ka vlerësuar se Kosova ke nevojë urgjente për stabilitet institucional dhe se kjo parti nuk do të lejojë që vendi të bllokohet për interesa të ngushta.
‘‘Së fundmi, LDK-ja thekson se vendi ka nevojë urgjente për stabilitet institucional dhe legjitimitet të plotë politik. Ne nuk do të lejojmë që Republika e Kosovës të bllokohet për interesa të ngushta partiake. Rruga e vetme përpara është respektimi i plotë i Kushtetutës dhe ligjit. Lidhja Demokratike e Kosovës do të vazhdojë të jetë zëri i arsyes, i ligjshmërisë dhe i përgjegjësisë demokratike – gjithmonë në shërbim të qytetarit dhe të shtetit të Kosovës’’, thuhet në komunikatën e LDK-së