Xhafer Tahiri nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka deklaruar se Albulena Haxhiu, sipas tij, është e padenjë për të drejtuar Kuvendin e Kosovës.
Sipas tij, janë dy arsye pse Haxhiu nuk meriton të jetë në krye të legjislativit.
“Gjatë kohës sa ka qenë ministre janë zhdukur mostrat e Astrit Deharit dhe ajo nuk ka dhënë përgjegjësi dhe poashtu për faktin që kjo duke qenë ministre e drejtësisë, ka bërë sulmet më të paprecedenta ndaj sektorit të drejtësisë”, tha Tahiri.
Ai tutje tha se Lëvizja Vetëvendosje po i ikë përgjegjësisë për bllokimin e Kuvendit.
“Kjo parti duhet të tregojë aftësi që të krijojë shumicën në kuvend dhe të zgjedhë e të mos bllokojë institucionet”, tha Tahiri.
Në anën tjetër, deputetja e zgjedhur nga komuniteti boshnjak, Duda Balje, ka thënë se ka vendosur që të rri në opozitë, duke deklaruar se vota e saj nuk është “votë vendimtare” për pozitën e kryekuvendarit dhe formimin e Qeverisë.
“Tash edhe me qenë unë në opozitë nuk ka me ndryshu asgjë. Unë jam e sigurt që Vetëvendosje ka me gjet zgjidhje. Ne sot kemi vendosë me shku në opozitë. Ne sot kemi vendosë dhe nuk besoj që ka me ndodhë ndonjë ndryshim”, deklaroi Duda Balje./Kallxo.com