Në vigjilje të Pashkës, Arqipeshkvi i Kishës Katolike, Imzot Arjan Dodaj, dha mesazhin e tij duke u ndalur te rëndësia e institucionit të familjes dhe mbështetjes së rinisë duke shmangur largimin e tyre nga vendi.
Kreu i kishës katolike tha se Dita e Pashkës duhet të ndriçojë njerëzimin drejt një rruge të drejtë dhe larg interesit të momentit.
“Kemin nevojë të investojmë më shumë te familja dhe sidomos te çiftet e reja, se pa çiftet e reja që zgjedhin të jetojnë në Shqipëri do thellohet në mënyrë dramatike dimri demografik që ka shënuar vendin tonë, të mësojmë nga gabimet e vendeve perëndimore dhe të shikojmë vendet që po reagojnë ndaj këtij dimri. Mesazhi dhe angazhimi i parë duhet të jetë për institucionin më të rëndësishëm dhe të domosdoshëm që është ai i jetës dhe familjes. Këtu kemi nevojë për njerëz dritëlarg që nuk mbyllen tek interesi i momentit, sikurse fatkeqësisht jemi të detyruar të veprojmë në shumë fusha. Të bëhemi bashkë për të promovuar kulturën e punës së ndershme”, tha mes të tjerash Arqipeshkvi.