Oda Ekonomike e Kosovës ka shprehur sot shqetësimin e saj për ato që i quajti “sulme të vazhdueshme të eksponentëve të qeverisë” së deritashme dhe të partisë Lëvizja Vetëvendosje kundër afaristëve dhe bizneseve kosovare, të cilat cenojnë integritetin e tyre personal dhe profesional, si dhe dëmtojnë rëndë prodhimin vendor.
Ky reagim vjen pas linçimit që iu bë Shkëlqim Devollit nga Donika Gërvalla-Schwartz dhe Albin Kurti, pasi Devolli kishte pasur dokumente malazeze ku shkruhej Pec, Srb.
Reagimi i plotë i Odës Ekonomike është më poshtë:
Rasti më i ri, e kërkojmë që të jetë i fundit, është ai i sulmit kundër afaristit Shkëlqim Devolli, i realizuar në mënyrë të orkestruar nga zyrtarë të koalicionit që ka qeverisur deri më tani dhe nga militantët e tyre.
Është e vërtetë se shtete të ndryshme kanë regjistruar ndryshe nga preferencat tona, emrin e shtetit në të cilin kanë lindur kosovarët. Këtë shumë mirë e njohin kosovarët që janë regjistruar me dekada në shtetet e ndryshme evropiane. Por, kjo nuk i ka penguar shumicën prej tyre të jenë patriotë të vërtetë dhe të punojnë për të mirën e Kosovës dhe qytetarëve të saj.
Kompanitë Devolli janë ndër kompanitë më të mëdha e më të suksesshme në Kosovë, që kanë kontribuar në përmirësimin e jetesës së mijëra punëtorëve dhe familjeve kosovare, por edhe kanë kontribuar për arkën e shtetit, duke qenë ndër tatimpaguesit më të mëdhenj, me qindra miliona euro të paguara.
Oda Ekonomike e Kosovës, duke qenë udhëheqëse e Odave të Ballkanit Perëndimor (WB6), është në dijeni të kërkesave të vazhdueshme të shumë shteteve të rajonit që kompanitë Devolli të zhvendosin prodhimin dhe aktivitetin e tyre në shtetet e tyre. Përkundër ofertave joshëse, prapë se prapë Devolli ka zgjedhur gjithmonë të qëndrojë dhe kontribuojë për Republikën e Kosovës.
Bravo Shkëlqim, bravo të gjithëve që mendojnë, punojnë dhe kontribuojnë si ai.
Një çerek shekulli nga përfundimi i luftës dhe çlirimit të Kosovës, dhe më shumë se një dekadë pas themelimit të shtetit të Kosovës, sot patriotizmi më i madh është zhvillimi ekonomik i vendit dhe forcimi i ekonomisë së Kosovës. Një Kosovë e fuqishme ekonomikisht mund të ruajë sovranitetin dhe integritetin e saj.
Prandaj, biznesi si themel i zhvillimit ekonomik, duhet të trajtohet si një nga shtyllat kryesore të fuqizimit të shtetit, si aleat dhe partner, e jo si pengesë për shtetin.
Për këtë arsye, Oda Ekonomike e Kosovës kërkon që të ndalen menjëherë sulmet ndaj çdo afaristi apo biznesi në Kosovë dhe që të gjitha institucionet e shtetit, pa marrë parasysh ideologjinë që përfaqësojnë, të bashkëpunojnë me biznesin për të mirën e qytetarëve dhe të shtetit të Kosovës.