Dje Policia kreu një aksion të madh në Kaçanik, ku arriti të arrestojë 7 persona të dyshuar për përfshirje në vrasjen e rreshterit Muhamed Lika. Të dyshuarit, siç u cilësuan nga vetë drejtori i Policisë, ishin të njohur për organet shtetërore edhe më herët si ekstremistë. Ndonëse një ditë ka kaluar nga kapja e të rinjve ekstremistë islamistë nga Policia, spektri politik ka zgjedhur të heshtë totalisht për këtë rast.
Ndonëse u humb jeta e një polici dhe në fund u kapën të dyshuarit për vrasjen e tij, në publik pati fare pak reagime për të arrestuarit ekstremistë, të cilët po ashtu dyshohet se dogjën gjykatën në Kaçanik vitin e kaluar.
Ish-ministri Sveçla dha njëfarë reagimi, duke shkruar shkurtimisht se familja e policit meriton drejtësi, gjë që është e vetëkuptueshme. Të tjerët, duke përfshirë ish-kryeministrin Albin Kurti, nuk e thanë as edhe një fjalë pas arrestimit të grupit ekstremist në Kaçanik.
Është e rëndësishme të përmendet fakti se kur vrahen policë të Kosovës në detyrë, gjithmonë jepet vëmendja e duhur dhe po ashtu nderimi adekuat për të ndjerin. Njëjtë kishte ndodhur edhe me policin Afrim Bunjaku që u vra prej kriminelëve të ardhur nga Serbia.
Por, si duket me policin Muhamed Lika, ndoshta edhe për shkak të detajeve që dolën për autorët e vrasjes, heshtja duket opsioni më i përshtatshëm për klasën politike. Mbase frika për humbje votash nëse dënohet akti dhe ekstremizmi islamik në këtë rast, duket se mund të jetw njw arsye pwr heshtjen ndaj terrorizmit.
Sipas detajeve të dhëna nga Policia në një konferencë për shtyp, grupi ka qenë i njohur për shpërndarjen e pamfleteve ekstremiste nëpër qytet, teksa po ashtu pati raportime në media të ndryshme se disa prej tyre dyshoheshin edhe për djegien e objektit të gjykatës në Kaçanik vitin e kaluar.
Të arrestuarit u raportua se janë Rejan Bela, Haki Bela, Edmond Lika, Shkëlqim Kuka, Rilind Murati, Diamant Gashi dhe Vatan Çaka. Disa prej të arrestuarve dilnin shpesh me video në një faqe të quajtur Rinia Islame Kaçanik, ku shpërndanin materiale fetare vazhdimisht.
Përpos se shpërndanin materiale ‘informuese’ për religjionin islam, ata gjithashtu shprehnin haptazi bindjet e tyre ekstremiste, duke mos e fshehur se janë edhe kundër ‘sistemit’ e gjithashtu duke shpërndarë flamuj të zinj të ngjashëm me ata të ISIS-it./Gazeta Metro