“Në Shënjestër” solli në vëmendje detaje nga dosja hetimore 339, ku në përgjime ka dalë dhe emri i një prej krerëve të bandës së Shijakut, Astrit Avdylaj
Avdylaj, sipas përgjimeve, është angazhuar në procesin zgjedhor të 2017 për të mbledhur sa më shumë vota për PS
Në një komunikim me drejtorin e Ujësjellësit në Shijak, Avdylaj tregon se ndodhet në shoqëri me Elton Arbanën (kryetari i PS në Shijak në kohën e përgjimeve dhe aktualisht kandidat për bashkinë e Shijakut) dhe nga biseda shihet qartë se paracakton dhe se kush do jetë në listën e sigurtë të Partisë Socialiste në Durrës, ai i Ilir Ndraxhit.
Astrit Avdylaj, kreu i grupit kriminal Avdylaj në Shijak, telefonon kreun e bashkisë së Shijakut për të lënë një takim me të, Vangjush Dakon kryebashkiakun e Durrësit, si dhe me një kandidat me prespektivë dhe të ardhme ‘Liri’ (Ilir Ndraxhi). Një person që grupi kriminal Avdylaj kërkon të caktohet si kandidat i PS-së për deputet.
“Nesër kemi një takim në orën 10 të mëngjesit. Unë, ti, Gjushi, Liri, vllai i Lirit, dhe Jupi do pimë një kafe nesër në Durrës në orën 10, pranaj të kam mor sot me i fjalë”, thotë Astrit Avdylaj në bisedën telefonike.
Në një tjetër telefonatë kreu i grupit kriminal të Shijakut, interesohet pranë vëllait të Ilir Ndraxhit, nëse kryeministri Rama e ka marrë në telefon.
Pas bisedës që mesa duket Avdylaj ka bërë që Ilir Ndraxhi të jetë në listë të sigurtë në Qarkun e Durrësit, në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017.
Astrit Avdylaj telefonon vëllain e deputetit në perspektivë dhe e pyet atë nëse vëllai i tij, ka marrë ndonjë telefonatë (nga lart) për t’u konfirmuar si kandidat i PS.
Më tutje Astriti zotohet se ata do të punojnë shumë fort që të mund të surprizojnë të gjatin me një rezultat pozitiv 10 me 0.
Disa ditë më vonë Ilir Ndraxhi konfirmohet si kandidat i PS për Durrësin duke përfaqësuar interesat e klanin kriminal në këmbim të suportit maksimal ndaj fushatës së PS në Durrës.
“Ok unë po pres. Ne e kena në xhep. Ai më tha mua. Ne thjesht po presim, siç më thanë.
Se duhet të jemi edhe shumë të nerum nga ai sipër që duhet të na shohi me një kështu, e ke parasysh.
Ti japim një 10 me 0 që edhe ai vetë të habitet”, thotë Avdylaj