Një ngjarje tronditëse ka ndodhur pasditen e së martës në Pahalgam, një destinacion i njohur turistik në Kashmir, ku persona të armatosur hapën zjarr ndaj një grupi turistësh.
Sipas autoriteteve indiane, të paktën 24 persona kanë humbur jetën, ndërsa burime lokale flasin për një bilanc tragjik që mund të shkojë deri në 30 viktima.
Sulmi ndodhi rreth orës 14:30, vetëm 55 milje larg kryeqytetit rajonal Srinagar. Pamjet rrëqethëse të publikuara në rrjetet sociale tregojnë skena kaotike dhe të dhimbshme, me trupat e plagosur të shtrirë në tokë dhe të afërmit e tyre që luteshin për ndihmë.
Daily Mail shkruan se autorët e dyshuar – një grup prej dy deri në tre personash të armatosur – kanë ndaluar turistët dhe i kanë kërkuar të identifikohen përpara se të hapnin zjarr në mënyrë brutale.
Kryeministri Omar Abdullah e përshkroi ngjarjen si “sulmin më të rëndë ndaj civilëve në vitet e fundit”, duke theksuar se numri i viktimave mund të rritet më tej.
Në një deklaratë të ashpër, ai u shpreh: “Ky sulm ndaj vizitorëve tanë është i neveritshëm. Autorët janë çnjerëzorë, kafshë, dhe të denjë për përbuzje.”
Policia dhe forcat e sigurisë janë në ndjekje të autorëve, ndërsa rajoni është futur në gjendje të lartë alarmi.
Hetimet janë duke vijuar për të zbardhur motivet dhe identitetin e sulmuesve, ndërkohë që komuniteti vendas dhe autoritetet po bëjnë apel për gjakftohtësi dhe solidaritet me familjet e viktimave.