I mituri që dyshohet se vrau policin Lika kishte urdhër arrest aktiv qe pesë muaj

by Nexhat

Nga nëntori i viti 2024 zyrtarët policor në Kaçanik e Drejtorit Rajonale Kufitare kishin në dorë urdhër arrestin ndaj Rejhan Belës, tashmë i dyshuar kryesor për vrasjen e policit Muhamet Lika.

I njëjti ishte i dënuar për veprën penale të dhunimit, por nuk kishte shkuar për ta vuajtur dënimin, çka ka bërë që Gjykata themelore në Ferizaj të lëshojë urdhër arrest më 14 nëntor të 2024.

banner

“Sa i përket pyetjes për të miturin e cila ka qenë në procedurë të ekzekutimit të masës institucionale në kohëzgjatje prej dy (2) vite për veprën penale dhunimi nga neni 227 paragrafi 6 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së, i cili aktvendim është bërë i plotfuqishëm më date 18.09.2024, ndërsa pasi i mituri nuk është paraqitur vullnetarisht për ta vuajtur masën, gjykata më date 14.11.2024 ka lëshuar urdhëresë për dërgimin me force të të miturit për mbajtjen e dënimit në Qendrën Korrektuese  për të Mitur në Lipjan, kjo urdhëresë është dërguar në Stacioni Policor në Kaçanik dhe Drejtorive Rajonale Kufitare dhe e njëjta është sipas fletkthesës është pranuar më date 18.11.2024”, ka njoftuar gjykata

Por, ky urdhër kishte mbetur pa u zbatuar dhe i mituri u arrestua vetëm pas pesë muajsh, tani si i dyshuar kryesor për vrasjen e zyrtarit policor Muhamet Lika.

Nga Policia e Kosovës, e Inspektorati Policor nuk kanë treguar nëse tashmë kanë nisur hetime për mos zbatimin e urdhër arrestit.

Por, avokati Yll Zekaj thotë se për këtë duhet hetuar i tërë zinxhiri institucional, meqë ka raste të përsëritura.

“E shohim që kjo nuk është  vepra e parë penale e kryer nga këta persona, dhe nëse analizohet më thellë këto vepra penale se si janë trajtuar shohim se ka dështim të sistemit të drejtësisë, qoftë në hetimin e këtyre veprave, qoftë në dënimin e këtyre veprave apo në rehabilitimin e kryerësve të këtyre veprave…”, ka thënë Zekaj

Vepra për të cilën dyshohet i mituri Rejhan Bela, së bashku me 6 personat e tjerë të arrestuar, është e rëndë mirëpo dënimi që mund të marr nuk mund të jetë i tillë.

“Në situatën që jemi në veprat penale të vrasjes të kryer nga personat e mitur natyrisht që Kodi penal i parasheh edhe shqiptimin e masës me burgim, dmth dënimi maksimal është 10 vite, por që në praktikën tonë gjyqësor nuk kemi pasur asnjë dënim maksimal sic e parasheh Kodi i drejtësisë për të mitur”, ka thënë juristi, Anton Ndrecaj.

Rejhan Bela, Haki Bela, Diamnat Gashi, Rilind Murati, Vatan Çaka e Edmond Lika janë nën masën e paraburgimit, nën dyshimet se të njëjtin kanë organizuar e kanë kryer vrasjen e rreshterit policor Muhamet Lika

Lika u vra më 1 prill, në objektin e banesës së tij në Kaçanik, ndërsa në fillim të kësaj jave, u arrestuan shtatë të dyshuarit që besohet se qëndrojnë prapa aktit të rëndë. /Dukagjini/

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy