Komuna e Obiliqit ka njoftuar se ka inspektuar Termocentralin Kosova B (TC B), ku është parë nga afër se nga tymtari lirohet një tym dhe pluhur, ku dyshohet se ka edhe shkarkime të gazrave dhe pluhurit, gjë që është në kundërshtim me Ligjin për mbrojtjen e ajrit nga ndotja.
Komuna ka kërkuar nga Ministria e Ekonomisë, MMPHI-ja dhe KEK-u që të marrin masat e duhura për t’iu përmbajtur ligjeve, direktivave dhe udhëzimeve në fuqi.
“Drejtoria për Mbrojtje dhe Mjedis, sot më datë 23.04.2025, në bazë të planit për inspektim, ka inspektuar Termocentralin Kosova B (TC B), ku është parë nga afër se nga tymtari lirohet një tym dhe pluhur, ku dyshohet se ka edhe shkarkime të gazrave dhe pluhurit, gjë që është në kundërshtim me Ligjin për mbrojtjen e ajrit nga ndotja, Ligjin për Obiliqin, Direktivën 2001/80/EC, si dhe Udhëzimin Administrativ për rregullat dhe normat e shkarkimeve në ajër nga burimet e palëvizshme të ndotjes”, thuhet në reagim.
Tutje, theksohet “Duke i pasur këto fakte, kërkojm nga Ministria e Ekonomisë, MMPHI-ja dhe KEK-u që të marrin masat e duhura për t’iu përmbajtur ligjeve, direktivave dhe udhëzimeve në fuqi. Në të kundërtën, Komuna është e obliguar të marrë hapa të mëtutjeshëm për mbrojtjen e qytetarëve të saj”.
Tutje, bëhet e ditur se Drejtoria për Mbrojtje të Mjedisit është në monitorim të vazhdueshëm të ndotjes që po shkakton Korporata Energjetike e Kosovës, dhe se kjo situatë e papërmirësuar po vazhdon përgjatë 2 viteve të fundit.
“Nëse vazhdohet me tejkalim të parametrave, ne do të veprojmë sipas Ligjit për Obiliqin dhe udhëzimeve në fuqi”, vijon njoftimi