Ambasada Gjermane në Tiranë ka shprehur interesin për mënyrën se si po zbatohet strategjia e bashkëpunimit për hetimin e krimeve zgjedhore, duke organizuar një takim me përfaqësues të lartë të institucioneve shqiptare. Gjatë takimit, kreu i SPAK-ut, Altin Dumani, Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, dhe kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Ilirian Celibashi, kanë ndarë gjetjet e deritanishme të aktiviteteve të hetimeve zgjedhore.
Në këtë takim ishin të pranishëm edhe ambasadorët e Bashkimit Evropian, Britanisë së Madhe dhe Francës, si dhe kreu i misionit të vëzhgimit të OSBE/ODIHR, ambasadori Zanier. Sipas burimeve nga Ambasada Gjermane, ky takim ka shërbyer për të diskutuar për statusin aktual të aktiviteteve dhe procedimeve të nisura në lidhje me zgjedhjet. Për më tepër, është diskutuar mbi bashkëpunimin e ngushtë mes institucioneve shqiptare dhe efektin parandalues të qasjes së përbashkët ndaj shkeljeve zgjedhore.Ambasada Gjermane në Tiranë ka mirëpritur angazhimin e institucioneve dhe aktorëve politikë shqiptarë për të siguruar zgjedhje të lira dhe të ndershme më 11 maj, duke e cilësuar këtë proces si një tregues të rëndësishëm për funksionimin e institucioneve demokratike dhe aspiratën e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian