I ra pika Kaçanikut, apo “meteori” mbi kombin dhe institucionet?

by Nexhat

Shkruan: MIKEL SOPI

Kur një plagë e hapur në trupin e një kombi nuk mbyllet, por përkundrazi thellohet, ajo nuk është më vetëm tragjedi lokale — është dështim kombëtar. Kaçaniku, simbol i qëndresës, tani rrezikon të bëhet simbol i braktisjes.

banner

A ishte kjo një tragjedi e paralajmëruar, një rrufe në qiell të kthjellët, apo një dështim sistemik i institucioneve që duhej të ishin mburojë — nëse jo për qytetarin, të paktën për uniformën e shtetit?

Dhe për ta neutralizuar (për të mos thënë mbuluar) rrezikun e vërtetë, sot nuk mbeti media në Kosovë pa publikuar njëfarë “problemi të rrezikshëm” me tre policë të rinj “bebë”, gjoja se prej tyre paskemi rrezik. E në mesin e tyre — një vajzë katolike.

Ndërkohë, këta tre policë “problematikë”, që na paraqiten si dramë kombëtare, nuk janë as hero, as lajm i madh. Janë thjesht një episod i vogël, ndoshta edhe i montuar, për të fshehur atë që po ndodh realisht — se shoqëria po goditet në rrënjë, dhe institucionet po heshtin.

A thua ku mbeti minimumi i përgjegjësisë ndaj gjakut të derdhur të të parëve tanë?

Për gjashtë shekuj me radhë, martirët e këtij vendi e derdhën gjakun për liri — dhe sot, kur më në fund e gëzojmë atë, nuk gjejmë as guximin e as dinjitetin për ta mbrojtur?

Çdo përpjekje për të devijuar vëmendjen nga rreziku i vërtetë dhe për të neglizhuar gjakun e dëshmorit të fundit për atdhe — të Muhamet Likes — është jo vetëm mashtrim, por edhe fyerje ndaj sakrificës sonë historike.

Dhe le të mos harrojmë përbuzjen që sot ndjejnë shumë prej patriotëve të mërgatës sonë, që dikur sakrifikuan shumëçka për lirinë e këtij vendi. Ata nuk e meritojnë një Kosovë të tillë në hije e në heshtje.

Nuk luftuam për një shtet që fsheh të vërtetën dhe i lë plagët e kombit të hapura. Kjo është vetëm një shenjë e vogël që flet shumë. Një kujtesë e heshtur se liria pa drejtësi dhe pa pergjegjësi është veç një iluzion i hidhur

.Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e Gazetës “Informim.net”.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy