Në ndeshjen e dytë gjysmëfinale të play-off-it të Superligës së Kosovës në basketboll, Peja ka reaguar fuqishëm ndaj Bashkimit, duke barazuar serinë në 1:1.
Skuadra pejane e dominoi pjesën e parë të lojës, duke ndërtuar një epërsi të konsiderueshme prej 20 pikësh në fund të pjesës së dytë (42:22).
Por Bashkimi, i cili e kishte përfunduar sezonin e rregullt në pozitën e parë, nuk u dorëzua. Ata shtuan intensitetin dhe ritmin në pjesën e dytë, duke e ngushtuar gradualisht rezultatin dhe madje kaluar në avantazh në fundin e çerekut të katërt.
Për herë të parë në epërsi në pjesën e dytë, Bashkimi kaloi falë pikëve të Valon Bunjakut, duke shënuar 77:76, rreth dy minuta para fundit të ndeshjes. Por Peja reagoi menjëherë – fillimisht me pikët e Amin Hotit për rikthimin e epërsisë në 78:77, e më pas me katër pikë nga Dardan Berisha që çuan rezultatin në 82:79. Fitorja u vulos me dy gjuajtje të lira të realizuara nga Darryl Morsell, duke e përmbyllur takimin me shifrat 84:79
Pas kësaj fitoreje, seria është e barabartë 1:1. Kujtojmë se Bashkimi kishte fituar bindshëm takimin e parë në Prizren me rezultat 81:61. Skuadra që arrin tri fitore do të sigurojë biletën për finalen e madhe, ku e pret fituesi i përballjes mes Trepçës dhe Sigal Prishtinës.
Ndeshja e tretë do të zhvillohet të dielën, në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren