Në gjykimin ndaj Ilir dhe Rrahim Abdullahut, dëshmoi Blerim Shala, i cili tha se i ndjeri Triumf Riza, kishte treguar se si grupi “Sekiraqa” ku bëjnë pjesë edhe dy të akuzuarit e kishin përndjekur para se të vritje.
“…prej grupit të Enverit pastaj prej aty ka fillu ma intensiv përcjellja e Triumfit, kërcënimet”, deklaroi Shala, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Paraprakisht Shala tregoi për momentin kur Riza e kishte ndalur si polic së bashku me dy policë tjetër ndërkombëtarë Enver Sekiraqën ku edhe i njëjti i kishte kërcënuar me granat dore.
Sipas Shalës, ndonëse Riza i kishte thënë se e kishte paraqitur në Polici kërcënimin me granatë dore, ai shtoi se pas kërkesës për të dhënat në sistemin e Policisë, ato nuk figuronin aty, duke aluduar se dikush i kishte fshirë.
Më tej, Shala deklaroi se e njeh të akuzuarin Ilir Abdullahu, pasi e kishin ndaluar disa herë gjatë patrullimit si zyrtarë policorë, por shtoi se nuk i kujtohet nëse ndonjëherë i ka shqiptuar ndonjë kundërvajtje.
Këtë deklarim e kundërshtoi Ilir Abdullahu, duke thënë se për herë të parë e kishte parë Shalën në sallën e gjykimit.
“Unë për herë të Dëshmitari Shala deklaroi se për vrasjen e Rizës ishte njoftuar nga vëllai i tij, Visari, i cili i kishte thënë se e kishin qëlluar dhe se ndodhej në spital.
“Visari më ka njoftuar se e kanë qëlluar dhe është në spital”, shtoi Shala.
Shala tregoi se Riza i kishte kërkuar të hynte në sistemin e Policisë së Kosovës për të marrë fotografitë e anëtarëve të grupit “Sekiraqa”, përfshirë dy të akuzuarit, Ilir dhe Rrahim Abdullahu, me qëllim që t’i identifikonte personat që po e ndiqnin.
Sipas Shalës, Riza ishte polic dhe njeri i ndershëm.
“Edhe si zyrtar dhe person fizik ka qenë shumë i moralshëm nuk ka pas diçka të keqe s’ka pas asnjëherë vërejtje kurrë në Polici”, tha Shala.
Shala sqaroi se ka punuar si zyrtar policor që nga viti 2001 dhe se kishte qenë koleg me Rizën. Ai shtoi se për një periudhë kohore kishte shërbyer në njësitin për zbatimin e urdhërarresteve të lëshuara nga Gjykata.
Sipas tij, sa i kujtohej, kishte pasur një urdhërarrest edhe ndaj të akuzuarit Ilir Abdullahu, por shtoi se i njëjti nuk kishte pasur nevojë të arrestohej, pasi ishte paraqitur vetë në Gjykatë. Megjithatë, Shala theksoi se nuk i kujtohej për çfarë vepre penale ishte lëshuar urdhërarresti.
I pyetur për këtë rrethanë nga mbrojtësi i Ilirit, avokati Ramë Dreshaj, se përse nuk e kishte deklaruar më herët, dëshmitari Shala u përgjigj se nuk ishte pyetur për këtë çështje.
Ndërkaq, për të akuzuarin Rrahim Abdullahu, Shala tha se nuk kishte pasur urdhërarrest.
Avokati Ramë Dreshaj kërkoi nga Shala të dijë se përse deklarata e dhënë në Stacionin Policor më 7 shtator 2007 nuk ishte nënshkruar nga zyrtarët policorë. Megjithatë, një pyetje e tillë nuk u lejua nga Gjykata, me arsyetimin se Shala nuk mund të japë përgjigje për një veprim që vetë nuk e kishte kryer