Biseda në kryeqytetin spanjoll është nëse Real Madridi mund ta shpëtojë sezonin në finalen e Kupës së Mbretit, pasi shpreson ta mposht Barcelonën. Kjo ndeshje mund të jetë gjithashtu vendimtare për të ardhmen e trajnerit Carlo Ancelotti, pasi shumëkush po flet për javët e fundit të mandatit të tij.
Për këtë arsye, formacioni që do të zgjedhë Ancelotti do të analizohet në detaje dhe do të jetë nën një lupë të madhe. Pas humbjeve 4-0 dhe 5-2 në dy takimet e fundit me Barcelonën, Ancelottit i kërkohet të gjejë zgjidhje të reja ndaj “Blaugranëve”. Pa Eduardo Camavinga, David Alaba, Dani Carvajal dhe Eder Militao, trajneri italian është disi i kufizuar në repartin mbrojtës.
Francezi (Camavinga) supozohej të luante në krahun e majtë të mbrojtjes përballë Lamine Yamal, por pas dëmtimit të rëndë në tendinë, Ancelotti do të detyrohet të përdorë njërin mes Fran Garcia ose Ferland Mendy. I pari nuk është besuar shpesh në ndeshjet e mëdha nga trajneri italian, por është në formë të mirë dhe ka treguar përmirësim këtë sezon. Nga ana tjetër, Mendy sapo është rikthyer nga një dëmtim në muskul pas një muaji mungese dhe mund të ketë pak mungesë ritmi. Megjithatë, teorikisht ai është më i përshtatshëm për t’u përballur me cilësinë sulmuese të Barcelonës dhe gëzon besimin e Ancelottit.
Sipas Marca, Ancelotti pritet të zgjedhë Mendy-n. Ata shpjegojnë se trajneri ka parë mjaftueshëm nga Mendy në stërvitje për ta përdorur dhe preferon përvojën e tij në vend të Garcia-s. Kjo zgjidh një nga dilemat kryesore në formacionin e tij për finalen e Kupës, me Fede Valverde që pritet të luajë si mbrojtës i djathtë dhe mesfusha të përbëhet nga Aurelien Tchouameni, Jude Bellingham dhe Dani Ceballos
Dilema e fundit lidhet me Rodrygo Goes. Nëse braziliani vazhdon të jetë pjesë e sulmit, kjo do të nënkuptonte përdorimin e tij si lojtar anësor në një formacion 4-4-2, ose vendosjen e Bellingham më thellë në mesfushë. Përndryshe, Ancelotti mund të mbajë kërcënimin e Bellingham më afër portës dhe të shtojë më shumë kontroll në mesfushë duke përfshirë veteranin Luka Modric.