Trajneri i Manchester City, Pep Guardiola, ka përmendur tashmë dy lojtarë që, sipas tij, duhet të kishin fituar Topin e Artë, por nuk e kanë arritur kurrë këtë.
Guardiola, 54 vjeç, ka drejtuar disa nga lojtarët më të mëdhenj në historinë e futbollit. Te Barcelona, ai kishte në skuadër Lionel Messin, Xavin dhe Andres Iniestën. Te Bayern Munich, pati kënaqësinë të punonte me Robert Leëandoëskin. Ndërsa te Manchester City, emra si Sergio Aguero, Kevin De Bruyne dhe Erling Haaland kanë kontribuar në sukseset e shumta të skuadrës së tij.
Por lojtari i fundit që fitoi Topin e Artë nën drejtimin e Guardiolës është mesfushori Rodri, i cili e fitoi edicionin e vitit 2024 – gjë që shkaktoi jo pak befasi te Real Madrid dhe Vinicius Jr.
Duke folur disa ditë pas dhënies së çmimit për Rodrin, Guardiola përmendi dy emra që, sipas tij, e meritonin ta fitonin Topin e Artë por nuk ia dolën kurrë gjatë karrierës së tyre.
“Messi, askush s’mund ta mundte,” tha Guardiola në tetor 2024.
“Vetëm Cristiano. Cristiano ishte një përbindësh, dhe babai i përbindëshit është Messi. Të dy kanë bërë diçka të jashtëzakonshme në 15 apo 20 vitet e fundit.”
Së bashku, Messi dhe Cristiano Ronaldo kanë fituar 13 Topa të Artë – Messi ka tetë, ndërsa Ronaldo pesë – të fituar midis viteve 2008 dhe 2023. Vetëm Luka Modric në vitin 2018 dhe Karim Benzema në 2022 thyen dominimin e tyre.
“Dhe ndoshta në atë kohë, Xavi dhe Iniesta e meritonin gjithashtu Topin e Artë,” shtoi ai.
“Ndaj mendoj se Rodri, dje, mori atë që futbolli spanjoll e meritonte në nivel botëror.”
Ai vazhdoi: “Vinicius duhej ta fitonte Topin e Artë të vitit 2024? Ndoshta, por kështu ndodhi. Janë gazetarët ata që vendosin, nuk është një grup elitë njerëzish që vendosin çfarë duhet bërë.
Është një votim global, nuk është vetëm një vend që vendos.”
Spanja ka vetëm tre fitues të Topit të Artë – Rodri, Luis Suarez dhe Alfredo Di Stefano.
Duke folur në vitin 2018, Zinedine Zidane gjithashtu kishte theksuar se Andres Iniesta e meritonte të fitonte Topin e Artë në vitin 2010.
“E admiroja stilin e lojës së Iniestës, dhe ai kurrë nuk fitoi një Top të Artë, por e meritonte,” kishte thënë Zidane. “Duhej ta fitonte vitin kur fitoi Kupën e Botës. Ai pati një vit të jashtëzakonshëm, fitoi Kupën e Botës dhe shënoi golin në finale. Është e qartë që e meritonte.”