Nënkryetari i AAK’së, Pal Lekaj, ka dhënë një propozim se si të dilet nga situata e moskonstituimit të Kuvendit.
Ai jep si ide një “paketë zgjedhore” pas disa muajve ku qytetarët do të zgjidhnin presidentin, deputetët dhe kryetarët e komunave.
Deri në këto “zgjedhje”, Lekaj thotë se mund të formohet një qeveri kalimtare.
“Në mënyrë që të mos i lodhim qytetarët tanë me përplasje dhe bllokada politike që burojnë nga mospajtimet ndërpartiake, propozoj një zgjidhje të përbashkët dhe gjithëpërfshirëse: Formimin e një qeverie kalimtare me mandat 6-8 mujor, e cila do të kishte për detyrë të menaxhojë vendin deri në mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, të cilat do të organizoheshin në fund të muajit nëntor ose në fillim të dhjetorit. Kjo datë do të përkonte me përfundimin e mandateve të kryetarëve të komunave, si dhe do të ishte një hap drejt afrimit të zgjedhjeve për presidentin e vendit”.
Postimi i plotë:
Propozim për tejkalimin e situatës aktuale politike
1. Të nderuar kryetarë të partive politike parlamentare,
Situata politike e krijuar pas zgjedhjeve të fundit paraqitet e ndërlikuar dhe me potencial për të prodhuar vetëm zgjidhje afatshkurtra. Në mënyrë që të mos i lodhim qytetarët tanë me përplasje dhe bllokada politike që burojnë nga mospajtimet ndërpartiake, propozoj një zgjidhje të përbashkët dhe gjithëpërfshirëse:
Formimin e një qeverie kalimtare me mandat 6-8 mujor, e cila do të kishte për detyrë të menaxhojë vendin deri në mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, të cilat do të organizoheshin në fund të muajit nëntor ose në fillim të dhjetorit. Kjo datë do të përkonte me përfundimin e mandateve të kryetarëve të komunave, si dhe do të ishte një hap drejt afërsimit të zgjedhjeve për presidentin e vendit
Kjo do të ishte një mundësi ideale për organizimin e një “pakete zgjedhore 3-në-1”, ku qytetarët me një dalje në votime do të zgjidhnin:
1. Përbërjen e re të Kuvendit dhe qeverinë e ardhshme,
2. Presidentin e ri të vendit,
3. Kryetarët e komunave.
Një qasje e tillë do të sillte përfitime të shumta:
• Reduktim të kostove buxhetore,
• Kursim kohe për qytetarët dhe institucionet,
• Rritje të besueshmërisë dhe legjitimitetit të institucioneve.