Shqetësime se po bie interesimi për ndjekjen e seancave të Kuvendit

by Nexhat

Nëse zgjatet situata e bllokadës së Kuvendit të Kosovës dhe nuk konstituohet legjislatura e nëntë, janë shprehur shqetësime se do të humbë besueshmëria në të gjitha institucionet dhe do të bie interesimi për ndjekjen e seancave të legjislativit që po caktohen çdo 48 orë.

Kështu e shohin avokati Tomë Gashi si dhe Adelina Hasani nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, situatën e krijuar në Kuvendin e Kosovës, pas dështimit të katërt për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit më 25.04.2025 dhe tentativën e gjashtë për ta konstituuar Kuvendin.

banner

“Në të ardhmen, ndoshta është ndonjë taktikë politike e ndonjë partie politike që ta stërzgjasë këtë situatë dhe që pastaj mund të gjithë apo që shumica pajtohen që të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme dhe besoj që ndoshta, unë nuk jam deputet, ndoshta ideja është me stërzgjatë këtë çështje, për shkak se dihet vitin e ardhshëm duhet të zgjidhet presidentja apo presidenti dhe partitë politike këtë punë e kanë, me kalkulime”, tha avokati Gashi në emisionin “Kallxo Përnime”

Avokatit Gashi deputetët që abstenojnë në Parlamentin e Kosovës i duken “paksa tinëzarë” dhe sipas tij, deputetët ose duhet të thonë po ose jo, dhe të mos i frikësohen askujt.

“Po kur abstenon, thu a din çka, unë jam qetu, si gjynah, as jam për po, as jam për jo, që i bjen po ua lëmë topin juve. E abstenimi më duket që nuk është, në prizmin tim, nuk është diçka që i kontribon zgjidhjet si lamshi juridik, edhe pse këtu ka të bëj me çështjet e inateve politike”, ka thënë Gashi.

Sa i përket deklarimeve për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, sipas Gashit, Lëvizjes Vetëvendosje më së shumti i konvenon të shkojë në këto zgjedhje

Adelina Hasani nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) e konsideron jashtëzakonisht shqetësuese uljen e interesimit për përcjelljen e seancave të Kuvendit të Kosovës.

“Duhet sa ma shpejt me u bo Qeveria edhe m’u marr me këto ndryshime gjeopolitike, që po ndodhin. Jo në kuptimin që është një Qeveri në detyrë edhe ne jemi të rrezikuar në fakt prej shumë faktorëve në Kosovë”, tha Hasani.

Për kandidaten e propozuar të Lëvizjes Vetëvendosje për kryetare Kuvendi, Albulena Haxhiu, Hasani tha se është shumë e rëndësishme gjuha që po përdoret ndaj Haxhiut, sepse konsideron se ky është një targetim i një gruaje dhe se gjuha që përdoret është në aspekt gjinor.

“Është demotivim për të gjitha gratë që donë me qenë pjesë e jetës publike, vazhdimisht kërkohet gratë me marr pjesë në diskutime publike në politikë dhe përdoret një gjuhë e urrejtjes që i shtynë ato mos me marrë pjesë aty”,  ka theksuar Hasani.

Kreshnik Gashi tha se në një analizë që është publikuar së fundmi nga KALLXO, ka dalë që LVV është shpërndarësi më i madh i gjuhës së urrejtjes në raport me partitë tjera politike, pasi tha se i ka 19 vendime të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ku konstatohet se kanë shpërndarë gjuhë të urrejtjes ndaj eksponentëve politikë.

“Në mesin e tyre është edhe zonja Haxhiu si person i cili është konstatu që ka shpërnda gjuhë të urrejtjes dhe nuk janë tërhjek prej kësaj gjuhe të urrejtjes edhe përkundër faktit që PZAP-ja e ka konstatu si të tillë edhe përkundër faktit që edhe Gjykata Supreme e ka konstatu që është gjuhë e urrejtjes sipas standardeve të tyre”, ka thënë Gashi.

Gashi ka thënë se duhet të kërkohet falje për këtë gjuhë të urrejtjes të përdorur gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare të datës 09.02.2025.

Në anën tjetër, Hasanit i është kundërpërgjigjur Rashit Qalaj, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në lidhje me Albulena Haxhiun dhe gjuhën që ajo ka përdorur sipas tij në seancat e Kuvendit të Kosovës.

“Është ajo [Albulena Haxhiu] që njerëzit i ka quajtur kriminelë në seancën e Kuvendit, t’u fillu prej kryetarit të Parlamentit e gjithë kolegët që i ka pasë në Kuvendin e Kosovës. Edhe sa ka qenë ministre [e Drejtësisë], ka fy për çdo seancë sa herë ka ardhë deputetët e opozitës me theks të veçantë deputetët e PDK-së, do që kanë shërbyer në të njëjtën kohë në legjislatura të mëhershme”, ka thënë Qalaj.

Hasani tha se për fyerjet e grave në politikë, deputetët e Kuvendit e kanë përgjegjësinë jo me arsyetu që e meritojnë, po me pas mekanizma për ta parandaluar dhe të mos normalizohet kjo gjuhë në Kuvend.

Të premten, më 25.04.2025, u zhvillua seanca e gjashtë konstituive, dhe kandidatja e propozuar e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albulena Haxhiu përsëri nuk arriti të marrë votat e mjaftueshme për kryeparlamentare.

Për katër herë sa doli në votim, partitë e opozitës së kaluar po ngulmojnë që të ndërrohet Haxhiu me arsyetimin se asaj nuk ia japin votën. Mirëpo, në Vetëvendosje këmbëngulin që nuk heqin dorë nga ky emër.

Në katër votime në ditë të ndryshme, Albulena Haxhiu nuk arriti të marrë 61 vota “për”, por vetëm 57 sosh, duke vazhduar kështu një zvarritje për zgjedhjen e Kryetarit, pa të cilin as nuk i hapet rruga zgjedhjes së Nënkryetarëve dhe nuk zihet se është konstituuar Kuvendi.

Kundërshtitë po vazhdojnë, vendi ka mbetur në një qorrsokak, nuk po afrohet asnjë mundësi për të zgjidhur nyjen, partitë nuk po heqin dorë nga qëndrimet e tyre, duke u shkaktuar një mjegull në atë se çka pritet të ndodhë në çdo 48 orë.

Deputetët do të mblidhen sërish më 27.04.2025  në orën 10:00, pas thirrjes së kryesuesit të seancës, Avni Dehari.

Vetëm një gjë po i bashkon dy palët- që nëse nuk ka zgjidhje, do të ketë zgjedhje. Nëse gjendja vazhdon të jetë e tillë, edhe PDK-ja edhe LVV-ja po e përmendin këtë opsion në vazhdimësi.

Edhe pse po mblidhen çdo 48 orë, deputetët po vazhdojnë me të njëjtat qëndrime, deklarime të njëpasnjëshme, por pa asnjë zgjidhje që vendi të dalë nga kjo bllokadë.

Me thirrjen e kryesuesit të seancës konstituive Avni Dehari deputetët e kanë për obligim që të mblidhen për vazhdimin e seancës jo më larg se 48 orë nga ndërprerja e saj dhe të procedojnë tutje. Kushtetuta nuk e përcakton ndonjë afat se brenda sa ditësh apo muajsh pas certifikimit të rezultatit të Zgjedhjeve apo pas betimit të deputetëve duhet të konstituohet Kuvendi. Por, Rregullorja e re e Kuvendit e definon që “ndërprerjet gjatë seancës konstituive nuk mund të jenë më të gjata se 48 orë”.

Por, pa konstituimin e Kuvendit nuk ka se si të nisë numërimi i ditëve për zgjedhjen e Qeverisë së re.

Vetëm pasi të jetë zgjedhur Kryetari dhe Nënkryetarët e Kuvendit, Presidentja e mandaton kandidatin për Kryeministër në konsultim me partinë që e ka numrin më të madh të deputetëve, që në rastin e tanishëm është Lëvizja Vetëvendosje.

Mandatari, jo më vonë se 15 ditë pas emërimit, obligohet të paraqesë përbërjen e Qeverisë dhe të kërkojë miratimin nga ana e Kuvendit. Qeveria konsiderohet e zgjedhur nëse merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve, apo së paku 61 vota.

Nëse Qeveria nuk miratohet në herën e parë, Presidentja brenda 10 ditësh emëron një kandidat tjetër sipas së njëjtës procedurë. Dhe, nëse as herën e dytë nuk zgjidhet Qeveria, atëherë Presidentja i shpall Zgjedhjet e parakohshme, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se 40 ditë nga dita e shpalljes së tyre.Kushtetuta e përcakton që Kuvendi shpërndahet nëse brenda afatit prej 60 ditësh nga dita e caktimit të mandatarit nga Presidenti i Republikës së Kosovës nuk mund të formohet Qeveria.

Në bazë të rezultateve të Zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025 Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 42.30% të votave – duke i siguruar 48 mandate në Kuvend, Partia Demokratike e Kosovës ka marrë 20.95% të votave apo 24 deputetë, Lidhja Demokratike e Kosovës me 18.27% apo 20 deputetë dhe koalicioni AAK-NISMA 7.06% apo 8 deputetë. Lista Serbe do t’i ketë 9 deputetë. 1 ulëse nga komuniteti serb e ka fituar partia e Nenad Rashiqit. 10 deputetët e tjerë do të jenë nga komunitetet e tjera joshumicë. /Kallxo.com

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy