Trajneri i Liverpoolit, Arne Slot, ka hedhur dyshime mbi raportet nga Portugalia se Darwin Nunez është lënë jashtë formacionit titullar për shkak të një klauzole pagese në marrëveshjen e transferimit të sulmuesit nga Benfica.
Sipas raportimeve, Liverpooli dyshohet se do të duhet të paguajë 5 milionë euro shtesë nëse Nunez bën startin e tij të 60-të në Ligën Premier dhe Ligën e Kampionëve.
Slot pretendoi se nuk kishte njohuri për një klauzolë të tillë dhe sugjeroi që mungesa e Nunez nga formacioni është një vendim sportiv.
“A besoni gjithmonë atë që thonë gazetarët? Jo gjithmonë? As unë”, ka thënë Slot, duke shtuar se ai ka një marrëdhënie të mirë pune me drejtorin sportiv Richard Hughes, i cili nuk do të ndërhynte kurrë në vendimet e formacionit bazuar në konsideratat financiare.

“Unë as nuk e di nëse është e vërtetë, po apo jo, sepse ne kurrë nuk flasim për këtë”, tha Slot, duke lënë të kuptohet se raportet mund të jenë të pabaza.
Duke qenë se Nunez nuk ka filluar që nga 8 marsi, komentet e Slot sugjerojnë se forma dhe performanca e sulmuesit janë faktorët kryesorë që qëndrojnë pas statusit të tij aktual.