Zëvendësi i Tahir Zemajt, Nazif Ramabaja Kudusi Lamës: Punon me urdhra të komandantëve të “Rognerit”

by Nexhat

Si jo rrallë herë, i ashtuquajturi gjeneral nga Shqipëria, Kudusi Lame, edhe njëherë ka vjellë vrerë e akuza ndaj kolonel, Tahir Zemajt dhe të gjithë ish eproreve dhe ushtarëve të FARK-ut.

Sipas Lames, Tahir Zemaj ka ikur nga rrafshi i Dukagjinit, pra thotë se nuk e ka përzënë askush.

banner

“Kush ka dasht me shku në front, ka shku, nuk i ka pengu kerkush…Tahir Zemaj ka ikur nga rrafshi i Dukagjinit, nuk e ka përzënë njeri. Nuk e kam takuar kurrë Tahir Zemaj. Nuk ka qenë prezent në luftën e Koshares, nuk ishte aty”, tha Lama, sipas të cilit, oficerët e FARK-ut gjithë ditën “pinin birra e nuk shkonin me i stervitë ushtarët”, dhe se major Nazif Ramabaja asnjë ditë stërvitje nuk e ka bërë në Kolsh.

E në një prononcim për “Bota sot”, lidhur me deklaratat e Lames ka folur bashkëveprimtari dhe bashkëpunëtori i ngushtë njëherit kryeshef shtabi i ZORRD dhe ish zëvendësi i kolonel, Tahir Zemajt, major Nazif Ramabaja.

“Ne kemi mbrojtur institucionin e Ministrisë së Mbrojtjes në qendrat për aftësimin e ushtarëve të rinj në Kolsh dhe Mamuras, nga sulmet e Kudusi Lamës dhe bashkëpunëtorëve të tij, duke rrezikuar edhe jetët tona. Kudusi Lama vazhdon të propagandojë hapur prej 27 vitesh, duke e quajtur tërheqjen tonë “ikje”. Në asnjë mënyrë dhe në asnjë çast kjo nuk përputhet me të vërtetën apo me logjikën ushtarake. Pas tërheqjes nga Rrafshi i Dukagjinit të njësive operative të Brigadës 134, të komanduar nga kolonel Tahir Zemaj, dhe Brigadës 131, të udhëhequr nga unë, ne vazhduam në mënyrë të pandërprerë përgatitjet dhe planet për aftësimin e ushtarëve të rinj. Më të mirët prej tyre i dërgonim në frontin e Koshares. Mjafton të përmend vetëm dy prej dëshmorëve më të dalluar: Izet Beqiraj dhe Ali Ivaja, të cilët ishin dërguar nga qendra stërvitore e repartit në Kolsh dhe ishin përgatitur personalisht nga unë”, thotë Ramabaja për “Bota sot”.

Sipas tij, Tahir Zemaj nuk kishte plumba për shqiptarë, ndryshe nga Kudusi Lame.

“Koloneli Tahir Zemaj kishte dhënë urdhër që të grumbulloheshim në Papaj, aty ku kishim dhënë betimin. Kështu rrjedhën ngjarjet. Moslejimi i tij për të operuar në atë zonë dhe përpjekja për të shmangur vëllavrasjen, sepse koloneli nuk kishte plumba për shqiptarë dhe civilë kundërshtarë, e detyroi atë të formonte Brigadën “Mërgimi” në Mamuras. Kjo vazhdimësi kishte kontinuitetin e saj që nga fillimi i përfshirjes në luftën çlirimtare. Ne e njohëm institucionin e Republikës së Kosovës, Presidentin Ibrahim Rugova si komandant suprem të Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës, si dhe qeverinë dhe parlamentin”, shton Ramabaja

Ai thotë se Lame ka punuar dhe vazhdon të punojë me urdhra të ish komandantëve të “Rognerit”.

“Ndryshe nga Kudusi Lama, i cili i sulmonte dhe i luftonte pa mëshirë këto institucione për t’i hyrë në hatër komandantëve të vetëshpallur të “Shtabit të Rognerit” dhe për përfitime materiale, kjo ishte “lufta” e tij: duke rrëmbyer dhe mobilizuar djem të rinj në Kukës pa asnjë trajnim në përdorimin e armëve të lehta personale — vetëm për të treguar numerikisht se sa ushtarë kishte mobilizuar. Të rinj të traumatizuar që ishin larguar bashkë me familjet e tyre nga masakrat e kryera nga forcat ushtarake, policore dhe paramilitare-serbe”, thekson Ramabaja.

Më tej, Ramabaja thotë se Kudusi Lame duhet të jep përgjegjësi para organeve të Kosovës.

“Për humbjen e jetëve të këtyre ushtarëve, ti, Kudusi, duhet të japësh përgjegjësi para organeve kompetente të Kosovës. Jo të mburresh për atë që e konsideron “sukses”, por që në të vërtetë është dështim dhe diletantizëm ushtarak. Tërheqja nga Rrafshi i Dukagjinit ishte bërë me marrëveshje dhe në koordinim me Ministrin e Parë të Luftës, kolonel Ahmet Krasniqi, si dhe me atasheun ushtarak të OSBE-së, Ëolfgang Kaufmann. Ky i fundit dha garanci se nuk do të kishte masakër ndaj popullatës civile. Për këtë ishte njoftuar edhe Richard Holbrooke, përmes Harry Bajraktarit, me të cilin koloneli Tahir Zemaj kishte komunikuar personalisht, në praninë time”, përfundon për “Bota sot”, major Nazif Ramabaja, ish zëvendës i kolonel, Tahir Zemajt, i cili ka dërguar edhe një letër, në të cilën sipas tij, janë kërcënimet e Kudusi Lames ndaj tij.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy