Fetahu për ngërçin në Kuvend: Janë dy shtegdalje, kompromis politik ose kryetar kuvendi nga ndonjë parti tjetër

by Nexhat

Avokati Faton Fetahu ka thënë se opozita është e liruar nga detyrimi për të votuar kandidatin e propozuar nga grupi më i madh parlamentar, në këtë rast Vetëvendosje.

“Bllokimi i konstituimit të Kuvendit dhe i themelimit të institucioneve është përgjegjësi ekskluzive e Lëvizjes Vetëvendosje dhe e koalicionit të saj, andaj partitë “opozitare”, në pikëpamje kushtetuese, janë të liruara nga detyrimi që të votojnë kanditatin/en e propozuar nga grupi më i madh parlamentar, i cili dështimin për ti siguruar 61 deputetë, e drejton, pa asnjë të drejtë, te grupet e tjera parlamentare.”

banner

Fetahu tha se pas cdo dështimi, VV po e përmend aktgjykimin e Kushtetueses në gusht të vitit 2014, por sipas tij paralelet që po tërhiqen janë të pasakta. Ai i shpjrgoi arsyet.

“Për më keq, sikurse pas çdo episodi të dështimit për zgjedhjen e kandidates së tyre, edhe sot,  eksponentë të partisë ose koalicionit fitues, në përpjekjet e dëshpëruara për të arsyetuar dështimin e tyre në mënyrë të pabazë dhe jo profesionale vijojnë ti referohen aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të gushtit të vitit 2014 (i njohur në publik si aktgjykimi në rastin e VLAN-it), nga ku, sipas tyre, buron e drejta e tyre “kushtetuese” për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit. Në lidhje me këtë, edhe në debatin ARB në TV Arbëra, ku isha i ftuar në fillim të javës, vura në pah dallimet që ekzistojnë mes këtyre dy situatave, ngase disa nga paralelet që po tërhiqen mes tyre, janë të pasakta për këto arsye: E para, VLAN-i i atëkohshëm, pretendonte që ishte “grupi më i madh parlamentar” të cilit i takonte propozimi për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, duke e uzurpuar të drejtën e propozimit të grupit më të madh parlamentar të dalë në bazë të rezultatit zgjedhor që ishte GP i PDK-së. Ndërsa, në rastin aktual, grupet e politike të “opozitës” asnjëherë nuk e kanë kontestuar të drejtën e partisë së parë për të propozuar kandidatin për kryetar të Kuvendit; E dyta, ky aktgjykim, në mënyrë të qartë ka përcaktuar se grupit më të madh parlamentar të dalë në bazë të rezultatit zgjedhor i takon e drejta për të propozuar kryetarin por jo e drejta për ta zgjedhur atë, siç po keqinterpretohet qëllimisht në situatën aktuale e drejta për “propozim”, me të drejtën për të “zgjedhur” kryetarin e Kuvendit; E treta, ky aktgjykim, askund nuk e përcakton ndonjë detyrim që “opozita” ose grupet tjera parlamentare të votojnë kandidatin e propozuar të grupit më të madh parlamentar. Përkundrazi, ka nënvizuar se deputetët janë të lirë të votojnë sipas bindjes së tyre, dhe kjo bindje nuk mund të jetë ndryshe përveç deklarimit të vullnetit të tyre me pjesëmarrje në votim, duke votuar “për”, “kundër” ose “abstenim”. Dhe në rastin aktual, të gjithë deputetët po marrin pjesë në votim dhe po shprehin qëndrimin dhe vullnetin e tyre të lirë. E katërta, ky aktgjykim, në mënyrë eksplicite përcakton se dështimi për të konstituuar Kuvendin, nuk e qon vendin në zgjedhje. Sepse këtë, natyrisht nuk e lejon Kushtetuta. Ndërsa, në rastin aktual, partia e parë e ka marrë peng konstituimin e Kuvendit me pretendimin – në formën e shantazhit politik – se, ose do të zgjedhet kandidati i tyre ose vendi do të shkojë ne zgjedhje të reja parlamentare; E pesta, sikurse ky aktgjykim por edhe aktgjykimi i vitit 2020 (në rastin e nominimit të z. Avdullah Hoti për Kryeministër), kishin përcaktuar se e drejta kushtetuese e propozimit, nuk mund të shndërrohet në mekanizëm bllokimi për themelimin e institucioneve. Prandaj, në dritën e këtyre aktgjykimeve, LVV po e bllokon themelimin e institucioneve të qeverisjes, nga të cilat qytetarët e Kosovës presin shërbimin e tyre.”

Ai tha se ekziston një asimetri kushtetuese.

“Në pikëpamje të këtyre aktgjykimeve, konsideroj se ekziston një asimetri kushtetuese. Sepse, përderisa aktgjykimi në rastin Hoti, i njeh të drejtën kushtetuese për ta formuar qeverinë edhe partisë ose koalicionit jo fitues të zgjedhjeve, aktgjykimi në rastin e VLAN-it i njeh të drejtën e propozimit të kryetarit të Kuvendit vetëm partisë ose koalicionit që ka fituar zgjedhjet.”

Sipas Fetahut situata e krijuar ka dy shtegdalje: kompromisin politik ose vendimin efektiv të kuvendit për të zgjedhur një kryetar nga grupet tjera politike dhe jo VV.

“Prandaj, situata aktuale ka dy shtegdalje: Kompromisin politik ose vendimin efektiv të Kuvendit për të zgjedhur për kryetar Kuvendi kandidatin nga grupet e tjera politike dhe jo nga LVV, vendimmarrje e cila mund të përfundoj në Gjykatën Kushtetuese dhe kjo e fundit pastaj le të vlerësoj nëse ky bllokim nga LVV është kushtetues ose jo, dhe nëse e drejta e saj e propozimit është shndërruar ose jo në një mekanizëm bllokimi të themelimit të institucioneve.”

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy