Kurti kujton masakrën e Mejës

by Nexhat

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka bërë homazhe në Mejë, duke kujtuar kështu 376 shqiptarët e vrarë nga forcat serbe.

Lidhur me këtë ngjarje të trishtë, Kurti u ka bërë thirrje ndërkombëtarëve që të rrisin presionin ndaj Serbisë për të vërteten e krimeve të luftës.

banner

“7 prill 1999 në Mejë dhe Korenicë, është më e madhja në historinë e luftës së fundit në Kosovë. Atë ditë, 26 vite më parë, në këto fshatra të Gjakovës u vranë 376 civilë shqiptarë të paarmatosur dhe të pafajshëm. Në ditët në vijim, vazhdoi fshehja e trupave dhe shkatërrimi i dëshmive në vendin e krimit. Të vrarët u varrosën dhe u rivarrosën në disa lokacione. Një pjesë e madhe e tyre u transportuan në Serbi, në varreza masive në Batajnicë. Krahas Batajnicës, ku janë gjetur 744 njerëz tonë të vrarë e të rrëmbyer, në Serbi janë zbuluar edhe katër varreza tjera masive, me mbi 200 shqiptarë, në Peruqac, Petrovo Selo, Kizhevak e Rudnicë. Mes civilëve të vrarë ishin edhe Gjovalin e Milan Markaj nga Korenica e Gjakovës. Trupat e tyre u gjetën në varrezën masive në Batajnicë. Tri ditë pas rivarrimit të tyre në Mejë, më 27 maj 2003, nëna e tyre Pashke Krasniqi Markaj, dogji veten me benzinë, për t’i dhënë fund jetës së saj dhe dhembjes për të bijtë”, ka shkruar Kurti në Facebook.

“Në hyrje të memorialit në Mejë, nderuam kujtimin e Nënës Pashke. Sot e gjithmonë përkulemi para sakrificës, forcës dhe qëndresës së nënave dhe familjarëve të të zhdukurve me dhunë gjatë luftës. Jo vetëm personat e rrëmbyer e zhdukur me dhunë gjatë luftës, por edhe familjet e tyre janë viktima të këtij krimi të vazhdueshëm. Ata janë në ankthin më të tmerrshëm pas luftës, në pritje të së vërtetës dhe drejtësisë për më të dashurit e tyre”.

“Sot Kosova po shënon Ditën e personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës, në kujtim të masakrës në Mejë dhe të gjithë zhdukurve me dhunë nga Serbia. Institucionet e Republikës për drejtësi, duhet ta dëshmojnë veten më së shumti e më së pari në rastet e krimeve të kryera gjatë luftës, për shkak se koha po kalon dhe dëshmitarët po mplaken dhe shumë prej tyre po ndërrojnë jetë. Në dhjetor të vitit 2023 Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 53 personave të dyshuar për masakrën e Mejës dhe fshatrave të regjionit Reka e Keqe, të Gjakovës. Është e domosdoshme këmbëngulësia dhe efikasiteti i sistemit tonë të drejtësisë, por gjithashtu edhe mbështetja ndërkombëtare për këto krime të pazbardhura, të cilat kërkojnë përgjigje sa më parë. Sot e gjithnjë u bëj thirrje ndërkombëtarëve që ta rrisin presionin ndaj Serbisë për të vërteten e këtyre krimeve duke hapur arkivat, e për të vënë drejtësi duke dënuar përgjegjësit politikë e ushtarakë për gjenocidin e kryer në Kosovë. Ky është themeli për një rajon paqësor, të sigurt e të qëndrueshëm. Nuk mund të ndërtohet paqja me ata që qëndrojnë mbi varrezat masive teksa i mohojnë ato. Me dhembje e mall e pikëllim, sot dhe përherë, nderojmë martirët e Mejës e të Kosovës!”.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy