Gjermania i ka kërkuar Ukrainës të mos e pranojë propozimin e fundit të paqes të Donald Trump, duke e quajtur atë të ngjashëm me “kapitullim”.
Trump i ka propozuar Kievit të lëshojë territore të mëdha në këmbim të një armëpushimi me Rusinë.
Dhe ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius tha se ndërsa Ukraina e di se mund të duhet të ndahet nga një pjesë e territorit, ata “nuk duhet të shkojnë aq larg sa propozimi i fundit nga presidenti amerikan”, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
“Ukraina vetë mund të kishte marrë një vit më parë atë që përfshihej në atë propozim, është i ngjashëm me një kapitullim. Nuk mund të dalloj ndonjë vlerë të shtuar”, i tha ai transmetuesit publik gjerman ARD
E ashtuquajtura “oferta përfundimtare” e Trump përfshin njohjen e Krimesë nga SHBA-ja si pjesë e Rusisë dhe njohjen jozyrtare të kontrollit rus të pothuajse të gjitha zonave të pushtuara që nga pushtimi i vitit 2022, raportoi Axios më parë këtë javë.
Gjithashtu, do ta ndalonte Ukrainën të bashkohej me NATO-n dhe do të hiqte sanksionet e vendosura ndaj Rusisë që nga viti 2014.
Deklarata e tij vjen ndërsa SHBA-të po e shqyrtojnë nëse do të vazhdojnë si ndërmjetës, siç ka thënë Marco Rubio.
Diplomati më i lartë i SHBA-së i tha rrjetit partner amerikan të Sky, NBC News, se “nuk mund të vazhdojmë t’i kushtojmë kohë dhe burime kësaj përpjekjeje nëse ajo (paqja) nuk do të realizohet”.
Ai tha se një marrëveshje duhet të arrihet së shpejti
“Java e fundit ka qenë vërtet për të kuptuar se sa afër janë këto palë në të vërtetë dhe a janë ato mjaftueshëm afër saqë kjo meriton një investim të vazhdueshëm të kohës sonë si ndërmjetës”.
Megjithatë, Rubio nuk tha se sa gjatë është e gatshme administrata Trump të presë për një përparim