Kryetari i Guxo, Faton Peci iu ka thënë partive të tjera që ta votojnë kandidaten e LVV-së për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu, duke ndjekur shembullin e deputetëve të komuniteteve joshumicë.
“Është e rëndësishme çështja tjetër që ta theksojmë se janë deputetë të komuniteteve joshumicë nga të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë që po i japin përkrahje këtij vullneti qytetar që e ka përcaktu më datën 9 shkurt. Do të thotë dy boshnjakë, dy egjiptianë, dy turq dhe një ashkali, një rom dhe një serb, në vazhdimësi japin përkrahje dhe votën e tyre në funksion të konstituimit të Kuvendit të Kosovës. Besoj që e njëjta çështje ose e njëjta logjikë duhet të ndjeket edhe nga partitë tjera opozitare shqiptare, për shkak se kjo do t’i hapte rrugë mundësisë së konstituimit të Kuvendit dhe futjes në afate ligjore dhe kushtetuese që Kosova të ketë Kuvend dhe të ketë Qeveri”, tha ai pas dështimit të sërishëm të zgjedhjes së Haxhiut kryeparlamentare
I pyetur se pse po vazhdojnë ta rikandidojnë Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit kur nuk i kanë votat, Peci tha:
“Votat nuk kanë qenë nja 2-3 herë edhe për verifikimin e mandateve. Mendoj që e njëjta logjikë debllokuese duhet të ndiqej nga partitë opozitare, mandej futemi në temat e tjera”