Në një atmosferë të mbushur me dialog ndërkulturor dhe bashkëpunim ndërfetar, një takim i rëndësishëm ndërfetar u zhvillua në Camp Villaggio Italia, i organizuar nga Komanda Rajonale Perëndimore e KFOR-it.
Pjesëmarrës në këtë ngjarje ishin autoritetet fetare më të rëndësishme nga pjesa perëndimore e Kosovës, që u bashkuan për të diskutuar rëndësinë e rolit të spiritualitetit në promovimin e paqes dhe harmonisë në një shoqëri multietnike si Kosova.
Takimi u hap me fjalën e Komandantit të Komandës Rajonale Perëndimore, Kolonel Francesco Errico, i cili theksoi si temë kryesore të takimit rolin e spiritualitetit në promovimin e paqes dhe se si feja mund të jetë mjet ndërmjetësimi dhe zgjidhje e konflikteve.
Në takim u theksua ndjeshmëria dhe respekti i KFOR-it ndaj të gjitha besimeve fetare në shoqërinë fuqishëm multietnike të Kosovës.
“KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe KFOR-i punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) në rolet përkatëse si reagues të sigurisë”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e KFOR-it.