Gjeneralmajor Enrico Barduani, komandant i Forcës së Kosovës të udhëhequr nga NATO (KFOR), zhvilloi sot një takim në Beograd me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, Milan Mojsiloviq, në kuadër të bashkëpunimit të rregullt ndërmjet dy palëve. Takimi i sotëm vjen pas atij të fundit të mbajtur në tetor 2024.
“Ne kemi një bashkëpunim të gjatë me Forcat e Armatosura të Serbisë dhe jam plotësisht i përkushtuar për ta ndërtuar këtë gjatë gjithë pjesës tjetër të mandatit tim; bashkëpunimi i vazhdueshëm, dialogu dhe ndarja e informacionit janë reciprokisht të dobishme dhe janë kyçe për stabilitetin rajonal”, deklaroi gjeneralmajor Barduani pas takimit.
Përveç takimit me përfaqësuesit e ushtrisë serbe, komandanti i KFOR-it u takua edhe me diplomatët e vendeve të QUINT-it në Serbi – përfaqësuesit e Francës (Pierre Cochard), Gjermanisë (Carsten Meyer-Wiefhousen), Italisë (Luca Gori), Mbretërisë së Bashkuar (Edward Ferguson) dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës (Aleksandër Titolo). Në takim mori pjesë edhe shefi i Delegacionit të BE-së në Serbi, Emanuele Giaufret.
Në këtë kontekst, Barduani i informoi përfaqësuesit për aktivitetet e KFOR-it dhe për bashkëpunimin e vazhdueshëm të këtij misioni me Bashkësinë Ndërkombëtare, përfshirë mbështetjen e palëkundur ndaj dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.
“KFOR-i mbetet i përkushtuar për të kontribuar në një ambient të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe për të garantuar lirinë e lëvizjes në çdo kohë. Misioni vazhdon të veprojë në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe misionin e BE-së për sundimin e ligjit në Kosovë (EULEX), në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë”.