Avokati i Popullit i kërkon ZRRE-së t’i pezullojë vendimet për rritjen e çmimit të rrymës

by informim peje

Institucioni i Avokatit të Popullit i ka kërkuar të mërkurën Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) t’i pezullojë vendimet për rritjen e çmimit të rrymës deri në përfundimin e hetimeve lidhur me ankesat e qytetarëve.

Rregullatori i energjisë e miratoi më 11 prill rritjen e çmimeve për tarifat e energjisë elektrike për 16.1 për amvisëri dhe biznese që kanë deri në 50 punëtorë, duke nxitur protesta.

banner

Tarifat e reja u miratuan më 16 prill dhe do të hyjnë në fuqi nga 1 maji.Në një reagim në Facebook të mërkurën, Avokatit të Popullit tha se rritja e tarifave ka ndikim të drejtpërdrejtë në të drejtat themelore të njeriut, “duke rënduar veçanërisht grupet më të cenueshme dhe familjet në asistencë sociale”.

“Kjo situatë ngrit shqetësime serioze për përballueshmërinë ekonomike të qytetarëve dhe qasjen e barabartë në shërbimet bazë”, thuhet në reagim.

Avokati i Popullit gjithashtu tha se rregullatori i energjisë i mori këto vendime “në mungesë të koordinimit institucional” në një kohë kur vendi ka qenë në proces të formimit të institucioneve të reja, pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Kosova ende nuk i ka formuar institucionet e reja, për shkak se procesi ka ngecur në konstituimin e Kuvendit prej 15 prillit.

“Këto vendime janë marrë në një moment boshllëku institucional – pa Kuvend të konstituuar dhe pa Qeveri të mandatuar, gjë që ka ndikuar në mungesën e debatit të nevojshëm publik dhe institucional për çështje që janë me rëndësi jetike për qytetarët”, tha Avokati i Popullit.

Avokati i Popullit tha se Qeveria e Kosovës, në përputhje me për Energjinë Elektrike, mban përgjegjësi për garantimin e interesit publik, sigurimin e qasjes të barabartë dhe përfshirjen sociale në politikat energjetike.

Ditë më parë, Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut e kundërshtoi ashpër vendimin për rritjen e çmimit të rrymës, duke thënë se “rritja e çmimit të energjisë nuk do të mbetet rast i izoluar, por do të prodhojë rritje të çmimeve të tjera”.

Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut [KOSTT], Kompania për Distribuim të Energjisë Elektrike në Kosovë [KEDS] dhe Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike [KESCO] kërkuan ngritjen e çmimit të tarifave të rrymës për shkak të importit të energjisë elektrike.

Bordi i ZRRE-së i miratoi kërkesat e tyre, duke argumentuar se rritja e tarifave këtë vit ishte e domosdoshme, për shkak të uljes së prodhimit të energjisë, rritjes së konsumit dhe varësisë së madhe nga importet me çmime të larta.
ZRRE-ja bën shqyrtimin dhe caktimin e përvitshëm të tarifave të rrymës, të cilat shpallen çdo vit më 1 prill dhe vlejnë deri më 31 mars të vitit pasues.
Kosova nuk mund ta sigurojë energjinë e nevojshme për mbi 1.6 milion banorët e saj vetëm me prodhimin nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK).

Një nga arsyet është vjetërsia me dekada e termocentraleve “Kosova A” dhe “Kosova B”. Prodhim ka edhe përmes burimeve të ripërtërishme, por në sasi më të vogla. Kosova, viteve të fundit, është përballur me rritje të vazhdueshme të çmimeve të produkteve dhe shërbimeve.
Shtrenjtimi ka nisur në kohën e pandemisë COVID-19 në vitin 2020 dhe ka marrë hov pasi Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës, më 2022.
Vitin e kaluar, ZRRE-ja e uli çmimin për konsumatorët komercialë dhe industrialë për 3 për qind. Por, një vit më herët, më 2023, tarifat u rritën për 15 për qind për të gjitha kategoritë e konsumatorëve.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy