Deputetët e legjislaturës së nëntë e cila ende nuk është konsistuar, nuk do t’i marrin pagat e tyre në fund të muajit prill e as në ditët e para të majit.
Kjo për faktin se 120 deputetët e kësaj legjislature janë betuar më 19.04.2025, dhe nuk e kanë bërë një muaj të plotë pune.
Rrjedhimisht, ata do ta marrin pagën e parë tek në fundit të muajit maj, në të cilën do të përllogaritet edhe angazhimi gjatë muajit prill.
Kjo u konfirmua për Kallxo nga zyra për media e Kuvendit të Kosovës.
“Pagat e deputetëve llogariten nga dita e betimit të tyre. Për shkak që betimi është bërë më 19 prill, pagat e këtij muaji do të procedohen me pagën e muajit maj”- thuhet në përgjigjen e datës 30.04.2025.
Në listën e deputetëve të betuar janë edhe Albin Kurti dhe shumica e ministrave të tij ndonëse me ligj atyre nuk u lejohet të marrin pagën e deputetit dhe të ushtrojnë funksion qeveritar.
Seanca për konstituimin e Kuvendit të Kosovës u mbajt më 15.04.2025, por deri tani është ndërprerë tetë herë në pamundësi për ta zgjedhur kryetarin dhe nënkryetarët e Kuvendit.
Tentimi i radhës do të jetë më 01.05.2025, në ora 10:00.
Partia që doli e para në Zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar gjashtë herë rresht deputeten Albulena Haxhiu për Kryetare të Kuvendit të Kosovës, por, ajo asnjëherë nuk mori më shumë se 57 vota.
Partitë që në legjislaturën e kaluar kanë qenë në opozitë kanë deklaruar se nuk do ta votojnë Haxhiun, për sa kohë që LVV insiston që ajo të zgjidhet kryeparlamentare
Seancën për konstituimin e Kuvendit e drejton deputeti më i vjetër i Kuvendit të Kosovës, në këtë rast Avni Dehari nga Lëvizja Vetëvendosje.