Luis Enrique e ka shfaqur gëzimin e tij për fitoren e arritur në Londër kundër Arsenalit në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.
Mirëpo, trajneri spanjoll, përkundër faktit se ndihet krenar me djelmoshat e tij, mendon se Paris Saint-Germaini nuk duhet të ngutet dhe të festojë para kohe pasi pas një jave e pret ndeshja e kthimit me londinezët, pas së cilës parisienët synojnë ta sigurojnë kualifikimin në finale të Championsit.
Ish-trajneri i Barcelonës kërkon nga lojtarët e tij që në “Parkun e Princave” ta kenë qasjen e njëjtë si në “Emirates Stadium”.
“Ndeshja pati faza të ndryshme. Fillimi ishte impresionuese, me një stadium shurdhues, por ia dolëm të shënonim menjëherë dhe kjo na dha besim”, deklaroi trajneri, duke iu referuar golit që e zhbllokoi lojën.
“Në pjesën e parë e qëlluam një herë shtyllën, ndërsa Arsenali në vazhdim u tregua i rrezikshëm, mbi të gjitha në topat joaktivë.”
“Është një rezultat i mirë, por ka mundur të shkonte si më mirë ashtu edhe më keq. Objektivi i parë është arritur, por kemi mundur të barazonim apo të fitonim me një avantazh më të madh. Tash objektivi është i qartë: ta fitojmë lojën e kthimit. Nuk duhet të bëjmë kalkulime kundër një kundërshtari që mund të shënojë në çdo moment.”
“Nuk kemi kryer punë. Ndeshja e dytë do të jetë emocionuese për tifozët dhe stresuese për ne trajnerët. Por, jemi të gatshëm.”