Reagon OVL-UÇK: Drejtësia në Hagë po Rrezikon Legjitimitetin e Luftës Çlirimtare

by engel

Sot, ekipi mbrojtës i z. Jakup Krasniqi ngriti alarmin për përgatitjen e mundshme të dënimeve të reja ndaj krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) nga Prokuroria Speciale në Hagë. Ky zhvillim i fundit ka shqetësuar Organizaten e Veteranëve të Luftës së UÇK-së sipas të cilëve paralajmërimi nga Gjykata Speciale përforcon shqetësimet e tyre në rritje se procesi gjyqësor ndaj drejtuesve të UÇK-së nuk synon zbardhjen e së vërtetës, por ndëshkimin politik të atyre që udhëhoqën luftën për çlirim.

Sipas OVL-UÇK, janë mbi katër vjet e gjysmë që liderët dhe pjesëtarët e UÇK-së po mbahen në paraburgim në rrethana që çdo ditë e më shumë zbehin besimin në drejtësi dhe shtojnë dyshimet për një qasje të njëanshme e të padrejtë. Deri më tani, vendimet gjyqësore, përfshirë ato ndaj Sali Mustafës dhe Pjetër Shalës, janë interpretuar si vendime politike të mbështjella me petkun e drejtësisë ndërkombëtare.

banner

“Lufta e UÇK-së ka qenë luftë për çlirim, jo për përfitime personale, dhe ata që sot gjenden pas grilave janë burrat që kontribuuan në çlirimin e Kosovës dhe në themelimin e shtetit tonë,” thuhet në reagimin e mbrojtjes. Në vend që të nderohen për sakrificën e tyre, ata po përballen me akuza që, sipas shumë zërave në opinionin publik, synojnë delegjitimimin e gjithë luftës çlirimtare dhe për rrjedhojë, edhe të shtetësisë së Kosovës.

Ekipi mbrojtës i z. Krasniqi shprehet se çdo dënim i mundshëm do të përbënte një goditje të rëndë jo vetëm ndaj individëve, por ndaj frymës së vetë lirisë për të cilën populli i Kosovës ka bërë sakrifica të mëdha.

Në këtë kontekst, bëhet një thirrje e qartë dhe e prerë për institucionet e Republikës së Kosovës: të mos qëndrojnë në heshtje. Kjo është një betejë që shkon përtej individëve – është një çështje e karakterit shtetëror dhe kombëtar. Institucionet duhet të angazhohen me përkushtim për të mbrojtur të vërtetën historike dhe për të siguruar një drejtësi që nuk është e diktuar nga agjenda politike.

Në një kohë kur përpjekjet për rishkrimin e historisë po bëhen gjithnjë e më të dukshme, heshtja është bashkëpunim i heshtur me padrejtësinë. Prandaj, tani është momenti për veprim të qartë dhe të koordinuar në mbrojtje të luftës së shenjtë për liri dhe të drejtave të atyre që e udhëhoqën atë.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy