Në vend që të punojë si gjyqtar futbolli, punon si ndihmëskuzhinier.
Shkëlqim Vllasaliu, 23 vjeç nga Prishtina, është një nga shumë të rinj në Kosovë që kanë vështirësi të ndërtojnë karrierë në profesionin e tyre.
Përkushtimi i gjatë, qoftë me ushtrime teorike apo praktike për t’u pajisur me licencë, nuk iu shpërblye, për shkak të “shumë sfidave”.

Shkëlqim Vllasaliu
Pamundësia për t’u angazhuar në këtë profesion, rrethanat, e kanë imponuar të punojë si ndihmëskuzhinier në sektorin e gastronomisë, në një restorant në kryeqytet.
“Është punë që më lehtë mund të sigurohet, kërkesat janë të mëdha në këtë sektor”, thotë Shkëlqimi.
Më 1 Maj – Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, të rinjtë kërkojnë që të gjenden forma për të përkrahur punësimin e tyre, qoftë për punë sezonale, por që edhe pas studimeve të ofrohen mundësi të angazhohen në profesionin e tyre.
Në pritje të një pune është edhe Arlind Shala, 23-vjeçar nga Prishtina, i cili ka diplomuar në Administratën Publike në një kolegj privat, në shtator të vitit të kaluar.
Punon si kamerier në një lokal të Prishtinës.
Që nga diplomimi, thotë se është interesuar për dhjetëra konkurse në sektorin publik dhe privat, por ka aplikuar vetëm në dy.
Ai tregon se nuk ka aplikuar në të gjitha konkurset, pasi shpesh i është thënë se pa lidhje me ndonjë person në pozita të larta, nuk ka gjasa të pranohet.
“Dua të punoj në menaxhimin e analizave, statistikave dhe kontabilitetit, por është shumë e vështirë. Jam zhgënjyer nga sfidat që paraqiten për të punuar në profesionin tim”, tha Arlindi, duke shtuar se nepotizmi dhe lidhjet familjare janë faktorët kryesorë për të gjetur punë.
Në punë është edhe më 1 maj, kur po shënohet Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve.
Një i ri tjetër, Erion Sejdiu, 21 vjeç nga komuna e Ferizajt, në dhjetor të vitit 2024 diplomoi në drejtimin Punë Sociale. Ai priti që diploma t’ia hapë derën drejt profesionit që kishte zgjedhur me pasion.

Erion Sejdiu
Por, katër muaj më pas, ende nuk ka gjetur një vend pune në fushën për të cilën është kualifikuar, kështu që vazhdon të punojë në sektorin privat.
“Aktualisht, jam duke punuar në një profesion krejt të kundërt nga ajo që kam studiuar”, tha ai shkurt për Radion Evropa e Lirë.
Erioni tregoi se ka pak konkurse për punëtorë socialë – por edhe ato që publikohen kërkojnë minimum tre vjet përvojë në fushë.
“Ky kriter pamundëson aplikimin dhe demotivon, zhgënjen një të porsadiplomuar për të ardhmen”, tha ai.
Sfidat e punësimit
Në procesin e punësimit te të rinjtë ka sfida të shumta, konsideron Blenda Pira, koordinatore e programeve në organizatën joqeveritare Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë.
Pamundësia e tyre për t’u punësuar në profesionin e tyre, ajo shprehet se po i zhgënjen ata dhe po ndikon negativisht në motivimin dhe besimin e tyre për të ardhmen.
“Në profesionin e imponuar, edhe puna nuk është cilësore. Të rinjtë disa vite shpenzojnë në shkollim, fakultet, dhe në pamundësi të gjetjes se vendit të punës në profesionin e tyre, detyrohen të punojnë në sektorin e ndërtimtarisë, gastronomisë dhe sektorë tjerë privatë”, tha Pira.
Për këtë arsye, ajo konsideron se sistemi i arsimit duhet të ristrukturohet në mënyrë që të përshtaten nevojat e tregut të punës me kuadrot që dalin nga institucionet arsimore.
“Ku më mirë do të mund të jepnin kontributin e tyre se në fushën që vetë e kanë zgjedhur të studiojnë të rinjtë dhe të rejat”, thekson ajo.
Kjo dukuri vazhdon të mbetet sfiduese për këtë kategori të shoqërisë, thuhet edhe në raportin e Institutit GAP, të publikuar më 30 prill.
“Është e rëndësishme të zhvillohen apo mbështeten programe trajnimi të cilat përgatisin të rinjtë e të rejat në orientim në tregun e punës. Në Kosovë, trajnime të tilla do të ishin efektive veçmas për të rinjtë që aktualisht nuk janë në arsim, punësim ose trajnim”, thuhet në raport.
GAP thotë se shumë kompani hasin në vështirësi që kanë të bëjnë me aftësitë e pamjaftueshme të kandidatëve në raport me kualifikimet dhe përvojën që kërkohet.
Të rinjtë në shifra…
Kosova ka një popullsi të re, me një moshë mesatare rreth 35 vjeçe.
Numri i të rinjve nga mosha 15 deri në 24 vjeç, sipas regjistrimit të popullsisë të mbajtur vitin e kaluar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), është mbi 256 mijë.
Por, kjo kategori është më e prekura nga papunësia.
Në gjashtëmujorin e parë të vitit të kaluar, shkalla e papunësisë te të rinjtë (15-24 vjeç), ishte 21.2 për qind, ose 5.0 për qind më e lartë se në periudhën e njëjtë të vitit paraprak, kur ishte 16.2%.

Por, një karakteristikë tjetër shqetësuese është niveli i lartë i të rinjve jashtë punës.
Sipas një raporti të Institutit GAP, “Emigrimi dhe tregu i punës në Kosovë: Potenciali i papërdorur i fuqisë punëtore jo-aktive”, publikuar më 30 prill 2025, rreth 30 për qind ose mbi 78 mijë të rinj të kësaj moshe nuk janë duke ndjekur as arsim, as punësim dhe as trajnim.
Kjo shifër, sipas Institutit GAP, është dukshëm më e lartë se mesatarja e Bashkimit Evropian me mbi 20 për qind dhe më e larta në Ballkanin Perëndimor.
Në anën tjetër, shkalla e përgjithshme e papunësisë për moshën 15 deri 65 vjeç është 10.7 për qind. /REL/