Amerikanët kanë ndërmarrë një nga fushatat më të guximshme dhe të drejtpërdrejta kundër Kinës në dekadat e fundit. Agjencia Qendrore e Inteligjencës (CIA) ka publikuar video në rrjetet sociale në gjuhën kineze, me qëllim rekrutimin e zyrtarëve të zhgënjyer nga Partia Komuniste Kineze (PKK), duke i ftuar ata të bashkëpunojnë me ShBA-në dhe të ndajnë informacione sekrete.
Dy video të publikuara të enjten, shfaqin skenarë të sajuar ku zyrtarë të lartë kinezë vendosin të kontaktojnë CIA-n, të ndikuar nga zhgënjimi dhe frika për sigurinë e familjeve të tyre. Në një prej videove, një person që paraqitet si funksionar i lartë i PKK-së, flet për pasigurinë dhe trysninë me të cilën përballet, duke ndjerë se pushteti që ka nuk mjafton për të mbrojtur më të dashurit e tij në një ambient ku “zyrtarët pastrohen si këpucë të vjetra”.
“Ky njeri, që ka punuar gjithë jetën për të arritur majat, e kupton se asnjë pozitë nuk i garanton siguri në këto kohë të trazuara. Ai dëshiron të marrë kontrollin e fatit të tij dhe të mbrojë familjen dhe arritjet e jetës”, thuhet në përshkrimin në gjuhën kineze të njërës prej videove të publikuara në YouTube
Video-materialet, të shpërndara gjithashtu në Facebook, Telegram, Instagram dhe X, përmbajnë udhëzime për kontakt të sigurt me CIA-n, përfshirë edhe përdorimin e shfletuesit Tor për qasje në dark web.
“Një nga misionet kryesore të CIA-s është mbledhja e informacioneve për presidentin dhe politikëbërësit tanë”, deklaroi drejtori i CIA-s, John Ratcliffe, për Fox News. “Një nga mënyrat se si e bëjmë këtë është përmes rekrutimit të burimeve që mund të na ndihmojnë në sigurimin e sekreteve.”
Ambasada kineze në Washington nuk ka komentuar ende lidhur me këtë veprim të CIA-s.
Ndërkohë, Desmond Shum, ish-oligark kinez në fushën e pasurive të paluajtshme, i cili tani jeton në mërgim në Mbretërinë e Bashkuar, e ka cilësuar këtë fushatë si “veprimi më agresiv publik i CIA-s kundër Kinës në historinë e afërt”.