Kreu i partisë “Mundësia”, Agron Shehaj, zhvilloi sot një takim me qytetarët e Elbasanit në kuadër të fushatës për zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Në fjalën e tij para mbështetësve, Shehaj u shpreh se pas këtyre zgjedhjeve në Kuvend do të ketë për herë të parë përfaqësues që nuk janë të lidhur me korrupsionin dhe nuk mund të korruptohen
“Shehaj theksoi se kandidatët e partisë së tij vijnë nga jeta reale, nga puna dhe jo nga pazaret politike.”
Duke folur për situatën aktuale politike, ai akuzoi kryeministrin Edi Rama se po bën çdo përpjekje për të ruajtur pushtetin, jo për të qeverisur, por për t’i shpëtuar drejtësisë. “Nuk ka asnjë dyshim që Edi Rama do të përfundojë si të gjithë të tjerët, thjesht po i vjen radha. Ai po mban pushtetin për t’u mbrojtur nga ligji dhe kërkon ta kontrollojë parlamentin për këtë arsye,” tha Shehaj.
Sipas tij, Rama po kërkon votën e qytetarëve për ish-ministra dhe ish-deputetë të përfshirë në hetime për korrupsion. “Ka të paktën pesë kandidatë të Partisë Socialiste që janë aktualisht në hetim, por Rama i do në Kuvend për t’i pasur aty kur ai të jetë në nevojë për të shpëtuar veten,” u shpreh ai.
Shehaj nënvizoi se ai nuk është kundër Ramës për inat personal, por se përfaqëson një rrugë tjetër, rrugën e punës dhe ndershmërisë. “Unë nuk kam asnjë inat me Ramën. Unë ia kam dalë pa ndihmën e tij dhe pa politikë. Kam zgjedhur rrugën e punës, si shumica e shqiptarëve,” përfundoi Shehaj.
Ai u shpreh i bindur se më 11 maj do të nisë një ndryshim real dhe në parlament do të hyjnë përfaqësues të ndershëm që flasin në emër të njerëzve të thjeshtë