Gjakovë, rrëfimet e anëtarëve të familjes Bicurri që pretendojnë se i humbën miliona euro në fajde

by Nexhat

Dy vëllezër nga Gjakova pretendojnë se pasurinë e tyre të fituar nga ndërtimi i banesave shumëkatëshe në Gjakovë e Prishtinë e humbën në fajde. Lista e personave që nga ta apostrofohen si fajdexhinj është e gjatë.

Familja Bicurri nga Gjakova, e cila që nga paslufta ishte marrë me ndërtimin e objekteve të larta pretendon se pasurinë që e kishin krijuar për disa vite e ka humbur në fajde.

banner

Anëtarët e familjes Bicurri pretendojnë se kanë ndërtuar me qindra banesa në Prishtinë e Gjakovë ndërsa sot jetojnë me qira, sepse, siç pretendojnë ata, fajdeja ua mori edhe banesat e trashëguara nga prindërit.

Ndërsa ata që sot i kanë në posedim disa nga banesat e objektet e kësaj familjeje theksojnë se kanë kontrata të shitblerjes për ato prona me familjen Bicurri.

Rastet asnjëherë nuk ishin raportuar në Polici a Prokurori.

Emrat e personave të apostrofuar si fajdexhinj nga familja Bicurri nuk do ekspozohen deri në përfundimin e hetimeve të mundshme të Prokurorisë.

Këto kontrata nuk mohohen nga familja Bicurri, por thonë se ato kontrata u bënë me çmime joproporcionale për ta kthyer fajdenë.

Disa anëtarë të kësaj familjeje, siç pretendojnë ata, nga presioni i borxheve e fajdeve ishin larguar nga Kosova e disa ishin kthyer më pas por as ata nuk kanë pasur guximin që rastet t’i raportojnë në organet e ndjekje. Ata që kishin mbetur në Kosovë përmendin kërcënimet që kanë marrë nga persona të ndryshëm.

Ilir Bicurri ka rrëfyer për emisionin “Kallxo Përnime” problemet që ia krijoi fajdeja familjes se tij.

Bicurri pretendon se ka paguar nga 3 deri ne 4 milionë euro fajde, por nuk i ka raportuar në Polici sepse ka qenë i kërcënuar nga fajdexhinjtë.

“Unë kam paguar mbi një milion euro fajde, me gjithë vëllanë bëhen ndoshta 4 me i mbledhë, 3 deri në 4 milionë me e mbledh pasurinë që na i kanë marrë, banesat e shitoret, e sendet. Kam kontrata të banesave e lokaleve që ju kam njerëzve të cilët pasi me kanë dhanë fajde me kanë thanë me i lënë peng dhe më pas kemi bo kontrata sepse kam qenë i kërcënuar dhe s’kam pasë zgjidhje tjetër. Një kohë unë jam larguar nga Kosova nga frika por tash po du me tregu se nuk kam çka hupi më”- thot Bicurri.

Se fajdexhinjtë e kanë shkatërruar këtë familje dhe biznesin e tyre e thot edhe vëllai i Ilirit, Florim Bicurri.

Ai sot jeton në një vend të Europës.

Kur u kontaktua nëpërmjet telefonit  thot se problemi i tij është aq i madh sa që nuk mund të bisedojë nëpërmjet telefonit, por e pranon se nga Kosova ka ikur për shkak të fajdesë.

“Më të kallëzuu të drejtën nuk jam unë shumë për Europë po m`u kanë bo punët ashtu, kam ardhë. Neve na njohin krejt Gjakova, komplet një Gjakovë edhe e dinë a na kemi bo keq, a na kanë bërë njerëzit neve keq, se me pasë bo unë keq isha në vend temin e në shpi time edhe e kisha ruajtë pasurinë. Pasojat jemi duke i vuajtë na. Unë për veti i kam ndërtu 285 banesa edhe sot jam pa shtëpi në Kosovë, edhe rrugëve në Europë më kanë bo krime se kam qenë njeri i butë, njeri i kulturuar, njeri i urtë. Me të vërtetë na kanë fikë derën fajdexhinjtë, derën na kanë fikë, na kanë marrë në qafë krejt se jena kanë punëtorë, kemi ditë me udhëheq firma të mëdha, kemi punu me nder, me njerëzi, me ndërtim. Kam pasë tragjedi që ka ndodhë e paparë se këta fajdexhinjtë kur të shtinë nën këmbë nuk të lëshojnë kurrë”- thekson Bicurri.

Ish-gruaja e Ilirit, E.H., e cila nuk ka dëshiruar të shfaqet më fytyrë, thekson se ka qenë dëshmitare e kërcënimeve e thirrjeve të vazhdueshme nga persona të ndryshëm.

“Iliri një kohë u largua dhe nuk u lajmëru sa kohë unë jam përballë e vetme me njerëzit që vinin në banesë për të kërkuar borxhet e fajdeve, kemi pasë kërcënime të shumta. Nga problemet e fajdeve na dolën edhe probleme në familje, Iliri u bo shumë agresiv dhe ka pasur sjellje të keqe me mua dhe fëmijët. Kjo ke arsyeja që ne edhe u ndamë por fajdeja ma mori edhe një banesë që e kam pasë mbi emrin tim dhe sot të dy jetojmë me qira” – thekson ajo.

Në një rast Ilir Bicurri për të marrë para me fajde kishte pasur edhe dëshmitar.

Ky dëshmitar, i cili nuk pranon të flasë duke iu shfaqur fytyra, thot se ka qenë dëshmitar kur Ilirit i janë dhanë 93 mijë euro me fajde e madje pretendon se ka qenë dëshmitar kur një person e ka kërcënuar Ilirin me kidnapimin e gruas nëse nuk paguhen paratë e marra me fajde.

“Po ato 93 mijë euro ai person m’i ka pru mua dhe unë ia kam dhanë Ilirit. Në fillim qëllimi ka qenë me i ndihmu Ilirit ai personi që i ka dhanë këto para betohet se nuk ka marrë fajde por me vonë e kam kuptuar se i ka në posedim disa prona të Ilirit që ai thot i ka ble. Ne një rast tjetër unë kam qenë dëshmitar që për 7 mijë euro fajde i kanë thanë ta marrim gruan dhe unë i kam pagu ato 7 mijë euro” – thot dëshmitari R.I.

Se problemet e fajdeve të familjes Bicurri e lanë pa një banesë në lagjen “Pejton” të Prishtinës pretendon edhe Jeton Shasivari. Ai thot se këtë banesë e ka blerë nga Florim Bicurri në vitin 2007 por nuk e ka marrë në shfrytëzim asnjëherë sepse familja Bicurri kishte hyrë në borxhe të fajdesë.

“Unë kam punu në instalime të ujit dhe kanalizimit në objektet e Florimit dhe si kompensim ma ka dhanë një banesë në lagjen “Pejton” por unë s’e kam marrë asnjëherë sepse vëllai i Florimit, Iliri, çelësat ia ka dhanë një personi tjetër me kry një obligim unë s’kam punë me atë person por nga familja Bicurri pres me ma kthy banesën dhe pas disa tentativave kam bo padi në Gjykatë për banesë”- thekson Shasivari.

Florim Bicurri, i cili aktualisht jeton në një vend të Europës, e pranon se banesën ia ka shitur Jeton Shasivarit, si kompensim për punët që i ka kryer Jetoni në objektin e tij, por thot se me vonë nuk ka dijeni se çka ka ndodhur pasi që i njëjti për shkak të fajdeve ishte larguar nga Kosova.

“Jeton Shasivari te unë ka kry punime me ujë dhe kanalizim edhe normal në këmbim, disa para ia kam japë dhe tjerat banesën ia kam japë thjesht. Edhe unë ia kam bo kontratën Jetonit. Jetoni çka ka bo pastaj absolutisht unë nuk di, nuk di edhe se unë jam i dalë prej Kosove që 15 vite, shihet kontrata o vëlla”-potencon Florim Bicurri.

Por ndryshe pretendon Ilir Bicurri.

Ai thot se Jetoni ia ka shitur atij këtë banesë dy vite pasi e ka blerë nga Florimi. Bicurri thot se kontratën dhe dokumentet e tjera do i paraqesë në Gjykatë aty ku tashmë ka një kontest të hapur.

“Jetoni këtë banesë ma ka shitë mua dy vite pasi e ka ble nga vëllai im e kam kontratën dhe dokumentet e tjera që do i prezantoj kur të na thirrë gjyqi”- pohon Ilir Bicurri.

Kontratat e pronave, banesave e lokaleve të familjes Bicurri ishin lidhur te avokatët pasi në atë kohë nuk ka pasur noterë.

Avokati Avdi Rizvanolli thot se ata nuk kanë pasur mundësi t’i verifikojnë se cila është arsyeja e lidhjes së këtyre kontratave.

“Palët kontraktuese i kanë nënshkru, janë marrë vesh jashtë zyrës sime edhe veç ka qenë faza për nënshkrim, qaty janë marrë vesh. Ato banesat janë, munden me u këqyrë se cila palë ka hy. Jo, jo veç palët, nuk është vërtetu, veç palët deklaratat e tyre i kanë nënshkru palët mes vete, ata i dinë. Avokati s’e luan rolin e punëtorit të sigurimit, çka kanë deklaru ata ato janë shkruar  në letër”-thekson avokati Rizvanolli.

Avokati tjetër, Teki Bokshi, është në mesin e avokatëve më të vjetër në Gjakovë.

Në zyrën e tij janë bërë disa prej kontratave.

Për të fajdeja është dukuri e zakonshme në Gjakovë për të cilën dinë të gjithë por askush nuk është marrë seriozisht me të.

“Marrëveshjet janë bërë jashtë zyrës, këtu kanë ardhë vetëm i kanë nënshkruar dhe ne kemi qitur në ato kontrata çka kanë deklaruar palët. Fajdeja është dukuri që është duke vazhduar edhe sot por nuk janë hetuar. Policia ka inteligjencë që duhet me i hetu edhe pa i deklaru palët sepse ato po frikohen me i denoncu. Nuk ka mundësi me e ditë krejt për këtë dukuri e mos me e ditë Policia“- thotë Bokshi./Kallxo.com

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy