Policia e Kosovës ka bërë të ditur se të dielën, një familje në Prishtinë ka raportuar rrëmbimin e një anëtari të saj, i cili sipas denoncimit ishte zhdukur që nga data 30 prill 2025.
Familjarët kanë pretenduar se rrëmbyes të panjohur kishin kërkuar para përmes mesazheve, në këmbim të lirimit të tij.
Menjëherë pas denoncimit, njësitë e hetimeve në bashkëpunim me Prokurorinë kanë nisur veprimet për zbardhjen e rastit.
Si rezultat i hetimeve intensive, rreth orës 13:00, është lokalizuar personi i raportuar si i rrëmbyer, një mashkull rreth 45 vjeç, i cili është gjetur i vetëm në një veturë në rrugën “Vëllezërit Fazliu” në Prishtinë.
Pas intervistimit dhe verifikimeve, është konstatuar se nuk bëhej fjalë për rrëmbim.
Në fakt, vetë personi kishte dërguar mesazhet kërcënuese me qëllim përfitimi financiar nga familja e tij
Policia e Kosovës, në koordinim me Prokurorinë, ka nisur procedurat ligjore ndaj personit për mashtrim dhe shqetësimin e shkaktuar familjes dhe institucioneve.
Autoritetet apelojnë tek qytetarët të shmangin veprimet mashtruese, të cilat jo vetëm keqpërdorin burimet shtetërore, por shkaktojnë edhe panik të panevojshëm