Në prag të përballjes vendimtare ndaj Barcelonës në San Siro, trajneri i Interit, Simone Inzaghi, hodhi dyshime mbi angazhimin e Lautaro Martinez, duke theksuar se kapiteni i skuadrës mund të jetë ose titullar, ose jashtë formacionit. “Një lojtar që nuk mund të nisë ndeshjen është pak e mundur të ndihmojë në fundin e saj,” tha ai.
Argjentinasi pësoi një dëmtim muskulor në ndeshjen e parë në Spanjë dhe do të stërvitet pjesërisht me skuadrën, ndërsa vendimi për aktivizimin e tij do të merret pas seancës së fundit stërvitore. Inzaghi theksoi rëndësinë e ndjesive të vetë lojtarit dhe ruajtjen e ekuilibrit të skuadrës, që sipas tij ka treguar se është e kompletuar edhe përballë mungesave.
Nga ana tjetër, Barcelona do të ketë në dispozicion Robert Lewandowskin, i cili mungoi në ndeshjen e parë. “E dimë që është një nga sulmuesit më të mirë në botë, por edhe pa të, ata shënuan 15 gola në ndeshjet e para,” tha Inzaghi, duke shtuar se skuadra katalanase mbetet e frikshme në çdo aspekt.
Megjithatë, blaugranat do të duhet të përballen me mungesën e Jules Koundé, për të cilin Inzaghi shprehu konsideratë, duke theksuar se Barcelona ka alternativa të denja për ta zëvendësuar.
Një nga emrat më të përfolur para ndeshjes është Lamine Yamal. Sulmuesi i ri spanjoll u shqua në ndeshjen e parë dhe sipas Inzaghit, për të ndaluar ndikimin e tij do të nevojitet më shumë sesa mbulim individual. “Do të përpiqemi të mos i japim topin, por kjo është pothuajse e pamundur në futbollin modern. Është një talent i jashtëzakonshëm, vendimtar edhe në momente të vështira, dhe ka një shpejtësi të jashtëzakonshme mendimi.”
Inzaghi nuk i kurseu vlerësimet për skuadrën e drejtuar nga trajneri gjerman Hansi Flick. “Ata kanë 81% zotërim topi në kampionat dhe 76% në Champions. Janë skuadra më produktive në botë dhe luftojnë për dy trofe të tjerë pas dy të fituarve,” tha ai, duke shtuar se edhe pse Barcelona merr rreziqe në mbrojtje, ato janë të mirëllogaritura.
Trajneri italian la të kuptohet se mund të ketë ndryshime taktike për ndeshjen në San Siro. “Sistemi ynë është i testuar, por do të shohim nëse kërkohet ndonjë ndryshim. Luajmë në shtëpi, por Barcelona luan njësoj në çdo fushë. Në Montjuic bëmë një paraqitje të mirë, edhe pse kishte momente që mund t’i kishim menaxhuar më mirë. Kur fiton, është më e lehtë të analizosh dhe të përmirësohesh.”

